Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit dhe opozita kanë zhvilluar këtë të martë protestën e tetë përpara Bashkisë së Tiranës, ku kërkojnë dorëheqjen e kryebashkiakut, Erion Veliaj.
Që në nisje të saj, protestuesit e pranishëm nisën të hedhin lëndë piroteknike dhe molotov në drejtim të godinës së bashkisë. Përballë kësaj sjellje, përfaqësues të Policisë së Shtetit i bënë thirrje disa herë protestuesve të mos krijojnë incidente, por kjo kërkesë nuk u zbatua.
Për identifikimin e protestuesve që hidhnin lëndë piroteknike dhe molotov, policia kishte në terren agjentë civilë, të cilët dokumentonin çdo veprim përmes pamjeve filmike. Deri tani, përmes tyre policia ka vënë në pranga 7 persona të cilët më pas janë liruar nga gjykata, ndërsa dhjetra të tjerë janë vënë në hetim.
Protestat e përjavshme të opozitës para bashkisë nisën pas arrestimeve të disa prej drejtuesve më të lartë të këtij institucioni që sipas SPAK kanë kryer korrupsion dhe shpërdorim të detyrës.
Tv Klan