Kryetari i Bashkisë së Kukësit Bashkim Shehu ka reaguar menjëherë pas 23 urdhër-arrestimeve për banorët të cilët protestuan ditën e shtunë lidhur me tarifën e Rrugës së Kombit. Shehu i kërkoi qeverisë të heqë këtë rrethim policor e terror ndaj qytetarëve.
“E para kërkoj të shtensionohet politikisht situata. Kukësi që nga mbrëmë është kthyer në një shtetrrethim policor, e në këtë kontekst i bëj thirrje qeverisë të heqë këtë rrethim policor e terror ndaj qytetarëve”.
Dekalarata e plotë:
“Kam ndjekur me vëmendje zhvillimet para, gjatë dhe pas protestës së zhvilluar nga qytetarët e Qarkut të Kukësit në Rrugën e Kombit kundër vendosjes së tarifës. Situata e krijuar në Kukës nuk është normale.
E para kërkoj të shtensionohet politikisht situata. Kukësi që nga mbrëmë është kthyer në një shtetrrethim policor, e në këtë kontekst i bëj thirrje qeverisë të heqë këtë rrethim policor e terror ndaj qytetarëve.
Më shumë se kurdo, sot nevojitet dialog dhe sheshim i mosmarrëveshjeve për këtë rrugë dhe tarifën e vendosur nga qeveria.
Çdo acarim i mëtejshëm i situatës është i dëmshëm ndaj sot unë jam në krah të qytetarëve të Kukësit pa dallime e ndasi politike.
Policia të vlerësoje me maturi situatën, të ruajë ekuilibrat dhe të mostejkalojë kompetencat ligjore me veprime antikushtetuese.
Organet e prokurorisë, Gjykatës, Shërbimi i Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave, të bëjnë të gjitha vlerësimet e nevojshme, hetim të plotë e të paanshëm, komunikim të vazhdueshëm rreth zhvillimeve e transparencë të plotë për fatin e qytetarëve të shoqëruar gjatë natës dhe ditës së sotme.
Kërkojmë lirimin e menjëhershëm të të gjithë qytetarëve të shoqëruar gjatë këtyre orëve dhe kjo kërkesë është e panegociueshme.
Kukësi nuk e meriton te damkoset me deklarata që nxisin dhunë dhe urrejtje kolektive.
Ne nuk jemi për dhunë dhe dënojmë çdo akt dhune nga do që të vijë ajo, por i përkrah fuqimisht qytetarët e mi në kauzën e tyre të drejtë.
U bëj thirrje bashkëqytetarëve të mi dhe të gjithë atyre që përfaqësoj për ruajtjen e qetësisë dhe maturi në veprimet e tyre.
Dhe më kryesorja, i kërkojmë qeverise të reflektoje në vendimmarrjen e saj për heqjen e tarifës në Rrugën e Kombit.
/tvklan.al