Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Sot të gjithë kanë thirrur për një Shqipëri të pastër. Me parulla thuajse kanë zbritur të gjitha qytetet e saj. Domate dhe vezë janë hedhur përpara kryeministrisë dhe portreteve butaforikë të vendosur nga protestuesit qytetarë të ardhur edhe nga Kashari. Një zëri të gjithë i kanë thënë, JO importimit të plehrave të huaja.

Organizatorët kanë sjellë në këtë tubim edhe shfaqje ironizuese. Me qese plastike mbeturinash është ndotur ajri, me gotat plastike është dashur të tregohet cilësia e ujit që do të përdoret po të miratohet ky vendim i qeverisë. Qytetarët kanë shfrytëzuar rastin, të kërkojnë largimin e kryeministrit Nano, për veprimet arbitrare të tij.

Kreshnik Spahiu: “Shprehja që paratë kanë erë, mesa duket në këtë rast nuk ka vend, se këto para qelben në erë, nga dritaret e zyrës përkarshi jush. Zyra për Mbrojtjen e Qytetarëve ka denoncuar dhunimin e ligjit shqiptar dhe konventave ndërkombëtare, por kjo nuk ka vlejtur për veshët e dyllosur të qeveritarëve shqiptarë”.

Arbjan Mazniku: “Është e drejta jonë, që ne jo vetëm të informohemi, por të marrim pjesë aktive në vendimmarrje. Për sa kohë që qeveria do të tentojë ta evitojë, pjesëmarrja e qytetarëve në vendimmarrje, atëhere ne do të jemi këtu në shesh, për t’i kërkuar qeverisë që ne jemi këtu dhe këtu vendosim ne”.

Lutfi Dervishi: “Akoma qeveritarët shqiptarë nuk kuptojnë, se si të jesh i pasur, si të jesh i varfër, si të jesh i gjatë, si të jesh i shkurtër, si të jesh mashkull, si të jesh femër, të gjithë thithim të njëjtin ajër në Shqipëri. Nuk është fjala vetëm për ne, por për brezat që do të vijnë”.

Altin Goxhaj: “Këtu njerëzit kanë dalë për ujin e tyre të pijshëm. Këtu ka të majtë, këtu ka të djathtë, këtu ka të pavarur, këtu ka nga të gjitha partitë, ka nga të gjitha shoqatat, sepse kjo nuk është pronë e asnjë grupi, e asnjë organizate. Ajo që unë dua të them, që më jep shijen më të mirë ditën e sotme është 2që të gjithë janë bashkë edhe ata që mund të jenë ndryshe me njëri-tjetrin dhe i drejtohen kryeministrit shqiptar, me këtë gotë të helmuar, me këto flamuj tamam me shenjën e piratëve brenda për rrezikun e vdekjes”.

Monika Kryemadhi: “Kam ardhur si qytetare, por në radhë të parë si deputete e zonës së Kombinatit, duke bërë thirrje edhe njëherë me praninë time këtu, por edhe duke vazhduar e punuar, qoftë me qytetarët e mijë, duke u kujtuar edhe njëherë mikut tim Fino dhe kryeministrit të famshëm shqiptar, zotit Nano, që qyteti i Kombinatit nuk jeton as me ujin e Bovillës, as me ujin e Selitës, po jeton me ujin e puseve të cilat vijnë nga nëntoka”.

Pasi është protestuar, organizatorët janë kujdesur për sheshin ta lënë si më parë. Kanë nisur të heqin mbeturinat e hedhura, kur njërin prej aktivistëve të lëvizjes Mjaft e ka ndaluar policia. Saimir Alla është liruar nga furgoni i policisë vetëm pas presionit që përfaqësues të lëvizjes Mjaft kanë bërë mbi ndalimin e pajustifikuar të Allës./tvklan.al

Gazetare: Holta Zhiti