Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Mijëra qytetarë shkodranë kanë protestuar sot kundër kufizimeve të energjisë elektrike. Në fillim kanë qenë studentët e universitetit “Luigj Gurakuqi”, kryesisht të fakulteti i Gjuhëve të Huaja, që kanë nisur protestën të prirë nga pedagogë gjermanë, austriakë e italianë, që punojnë në këtë universitet.

Me pankarta ku shkruhej “Mjaft errësirës”, “Të jesh pa drita në shek. XXI është turp”. Duke i rënë bilbilave, ata kanë marshuar në shenjë proteste drejt prefekturës. Mungesa e energjisë elektrike po na çon drejt dështimit të procesit mësimor, kështu thotë drejtoresha e gjermanistikës.

Aty ku janë ndaluar studentët kanë filluar sindikalistët. Mijëra qytetarë shkodranë, i janë përgjigjur thirrjes së bërë nga bashkimi i sindikatave të pavarura, madje ka qenë presidenti i këtyre sindikatave zoti Gëzim Kalaja, i cili i ka prirë turmës së këtyre protestuesve. Këta të fundit në formë presioni kanë sjellë nëpër sheshet e qytetit duke lëshuar thirrje për më shumë drita për Shkodrën, por edhe parulla kundër qeverisë.

Sindikalistët kanë kërkuar më shumë energji, kryesisht për bizneset, spitalet dhe shkollat. Ata kanë kërkuar që më datë 17 Nëntor të zhvillohet një tryezë e rrumbullakët me Ministrinë e Energjetikës dhe KESH-in, për gjetjen e zgjidhjes së duhur për situatën realisht të rënduar në qytetin më të madh verior, përndryshe presidenti i BSPSH Kalaja ka thënë, se sindikatat do të ndërmarrin një grevë të përgjithshme në të gjithë sektorët./tvklan.al