Ditën e sotme në orën 19:30 është paralajmëruar të zhvillohet një protestë për vrasjen e 42-vjeçarit Egli Proga në Pogradec. Policia ka marrë masa për tubimin i cila do të mbahet nga sheshi “Skënderbej” deri te “Kryeministri”.

Për këtë është ndaluar qarkullimi i automjeteve në disa akse rrugore. Bllokohet segmenti i rrugës “Myslym Shyri” nga Gjykata e Lartë deri në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

“Për shkak të zhvillimit të një tubimi ditën e sotme në orën 19:30, parashikuar për tu zhvilluar nga sheshi “Skënderbej” deri te Kryeministria, do të ketë bllokime të disa segmenteve rrugore, si dhe bllokime të pjesshme të disa segmenteve të tjera në varësi të lëvizjes së tubuesve,” njofton policia.

Gjithashtu policia apelon qytetarët që të shmangin këto akse duke përdorur rrugë të tjera alternative.

“Policia apelon për të gjithë qytetarët që të shmangin lëvizjen në këto akse rrugore dhe të përdorin rrugët “Ibrahim Rugova” dhe “Papa Gjon Pali” si rrugë alternative, deri në përfundim të tubimit,” thuhet më tej në njoftimin e policisë.

Ndërkaq kujtojmë se 42-vjeçari Egli Proga humbi jetën më 10 Gusht pasi ishte dhunuar nga 29-vjeçari Denis Meçe. Fillimisht kjo ngjarje u raportua si një vdekje aksidentale, po hetimet e Komisariatit të Policisë së Pogradecit kanë zbuluar se ai ka mbetur i vdekur pasi është dhunuar nga 29-vjeçari pas një konflikti për motive të dobëta.

/tvklan.al