Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Në Vlorë kryetari i PS Fatos Nano, ka mbyllur turneun javor të fushatës elektorale, duke i bërë thirrje gjithë shqiptarëve, që në 12 Tetor të hedhin gurin e patundshëm të integrimit. Kryeministrin e shoqëronte dhe bashkëshortja Xhoana Nano, si dhe një pjesë e mirë e kabinetit qeverisës, me në krye Ministrin e Mbrojtjes Pandeli Majko.

Jo vetëm zgjedhësit, por dhe delegatët ishin më shumë nga ç’parashikohej në pallatin e sportit, ndaj ministri Spartak Poçi është detyruar që për më shumë se një orë të ndajë karrigen e thejeshtë me deputetin Limoz Dizdari.

Kryeministri Fatos Nano për herë të parë ka ndërruar sloganin e partisë në Vlorë, “Eja me ne”, duke ftuar kështu demokratët që të integrohen për zhvillim me forcat progresiste.

Kryeministri Fatos Nano:- “Unë besoj, se këtu në Vlorë, ashtu si dhe në të gjithë Shqipërinë edhe anëtarët e simpatizantët e partive të opozitës, jetojnë më mirë se në regjimin e Berishës. Prandaj unë do t’ua kthejë ndershmërisht mbrapsht sloganin e tyre, unë po i ftojë kandidatët dhe ithtarët e Saliut në Vlorë dhe në zona të tjera, të cilët e dinë mirë, se ne jemi mazhoranca që lufton trafiqet dhe sjell progresin. Ejani edhe ju motra e vëllezër demokratë, integrohuni, jetoni dhe merrni përsipër përgjegjësi për zhvillimin e Vlorës dhe të gjithë atdheut. Sot këto projekte, të zhvillimit dhe transformimit të madh, kapin shifrën vetëm për Vlorën, e 1 miliard investimeve në tre vitet e ardhshme”.

Berisha, tha kryeministri Nano, mori djersën dhe gjakun e emigrantëve, ndërsa socialistët në vend të firmave piramidale, kanë krijuar një sistem bashkëkohor bankar, duke përmendur se në to janë depozituar 2.5 miliard punë e ndershme. Në Vlorë PS ka fituar mandatin në të dy zgjedhjet e kaluara lokale, ndaj beson në rikonfirmimin e Shpëtim Gjikës për kryetar bashkie në 12 Tetor 2003.

Shpëtim Gjika:- “Filozofia ime qeverisëse për këtë qytet është dhe do të jetë parimi latin, “asnjë ditë pa asnjë punë”./tvklan.al

Gazetare – Arta Tozaj