Partia Socialiste, ka përfunduar të gjithë draftin ligjor me anë të të cilit do të mbrojë argumentin se ligji mbi pastërtinë e figurave të funksionarëve të lartë të administratës publike dhe të zgjedhurve, bien ndesh me kushtetutën. Burime nga selia rozë thonë për Klan se ankimimi me 9 pikë e socialistëve do depozitohet në Gjykatën Kushtetuese ditën e premte në datë 30 janar, thënë ndryshe në të njëjtën ditë kur i ashtuquajturi ligji i lustracionit merr fuqi vepruese. Pasi ka përmbushur dhe afatin ligjor 15 ditor prej publikimit në fletoren zyrtare.

Kështu presidenti konsumojë të gjithë afatin e tij kushtetues për të dekretuar ose jo ligjin. Me datë 14 janar duke zgjedhur të heshtë, gjithashtu një e drejtë e parashikuar për kryetarin e shteti në kushtetutë. Ligji është botuar në fletoren zyrtare numër 202 një ditë më pas. 15 ditë prej kësaj date, pra në 31 janar ligji merr fuqi për të vepruar.

Kontestimi kryesor i socialistëve lidhet me mënyrën e largimit të funksionarëve të lartë të organeve kushtetuese Psh prokurorëve apo gjykatësve si dhe mënyrës së funksionimit të autoritetit të kontrollit të figurave. Ky autoritet sipas selisë rozë merr kompetencat e një organi gjyqësor, çka përbën një shkelje të kushtetutës.

Kështu beteja politike, mazhorancë-opozitë mbi ligjin e lustracionit transferohet në Gjykatën Kushtetuese. Një pikë që gjithashtu ka ngjallur një debat të nxehtë politik. Duke patur parasysh argumentin e mazhorancës se ligji nuk mund të merret në shqyrtim nga persona që ndodhen në kushtet e pa pajtueshmërisë me të. Në ligj gjithashtu, në nenin 5 të tij mbi konfliktin e interesit citohet shprehimisht se këta persona, funksionet e të cilëve janë të pa pajtueshëm për shkak të bashkëpunimit me ish-sigurimin e shtetit nuk mund të jenë pjesë e trupave gjyqësore që marrin në shqyrtim ligjin e lustracionit./tvklan.al

Gazetare: Menada Zaimi