Socialistët do të vijojnë në rrugën e bojkotit dhe protestave. Duke reaguar ndaj deklaratës së kryeministrit se e sheh kërkesën për hapjen e kutive absurde, Edi Rama është shprehur se Berisha nuk ka rrugë tjetër përveçse të përmbush kërkesën legjitime të opozitës, madje ka kërcënuar së në rast të kundër kryeministri do të jetë i detyruar të mbyllë mandatin qeverisës para kohe.

Edi Rama: “Sali Berisha do të jetë i detyruar të japë një përgjigje të menduar më thellë se sa kaq dhe të reagojë ashtu siç i takon të reagojë kryeministrit të Shqipërisë. Megjithatë ne do të bëjmë çmos që të përshpejtojmë fundin e kësaj qeverie dhe Sali Berisha nuk ka dy rrugë ka vetëm një rrugë. T’i hapë rrugë procesit të transparencës së zgjedhjeve të 28 Qershorit në qoftë se nuk dëshiron që rruga e qeverisjes së tij të mbyllet shumë përpara kohe.”

Duke iu referuar shembujve të Greqisë fqinje dhe Afganistanit të largët ku është bërë rinumërimi i votave të kontestuara, Rama deklaroi se kërkesa e opozitës s’ka të bëj aspak me mbi vendosje vendimeve të sistemit të drejtësisë.

Edi Rama: “Ne kërkojmë hapjen e kutive të votimit për të bërë transparencë përmes një komisioni hetimor parlamentar, i cili nuk është absolutisht një shkallë tjetër gjykimi dhe nuk ka të bëjë fare me procesin juridik që u mbyll me vendimin e kolegjit elektoral. Janë dy gjëra krejt të ndryshme që s’kanë lidhje fare me njëra tjetrën, por padyshim kryeministri i bashkon të dyja bashkë sepse kërkon ti ikë me çdo kusht të vërtetës që fshihet në kutitë e 28 Qershorit.”

Duke folur dhe për raportin e reporterëve pa kufij dhe lirinë e cenuar të mediave sipas tij , Edi Rama ka shpërfillur të gjitha pyetjet e gazetarëve që përfaqësojnë media që janë kritike me opozitën dhe që në këndvështrimin e kryesocialistit janë pasqyrë e shëmtuar siç u shpreh ai, e interesave të pushtetit./tvklan.al

Gazetare: Elja Zotka