Lajme Arkiva 2003

Strukturat e Partisë Socialiste presin ditën e madhe të hapjes së fushatës. Kryetari i Bashkisë së Tiranës Edi Rama është takuar me kryetarin e përgjithshëm socialist Gramoz Ruçi për të përcaktuar elementët sekondar të fushatës në mesditën e të hënës në Pallatin e Kongreseve.

Por ndryshe nga Edi Rama kandidatura e të cilit është mirëpritur si në kryesi ashtu edhe në bazën e socialistëve, në rrethe Partia Socialiste nuk ka të njëjtin mirëkuptim mes anëtarëve të partisë për kandidaturat që qendra ka zgjedhur si përfaqësues në lokalet 2003. Prezantimi i parë i rikandidimit  të kryetarit të bashkisë së Elbasanit Hysen Domi është shoqëruar me protestën e 23 kryetarëve të organizatave bazë në Elbasan.

“20 kryetarët dhe sekretarët të organizatave socialiste, kemi dhënë dorëheqjen nga ky pozicion. Pra jemi tërhequr në krye të organizatave socialiste dhe sot bashkohen me ne dhe 8 organizata të tjera, pra bëhen kështu 28 organizata socialiste me mbi 400 anëtarë të Partisë Socialiste, që këtu unë dua t’ju them edhe firmat që janë nënshkruar nga anëtarët e këtyre rajoneve”.

Ky sinjal u transmetua më pas te socialistët e Librazhdit të cilët janë shprehur gjithashtu kundër kandidaturës së Partisë Socialiste, duke e kritikuar mënyrën e menaxhimit të bashkisë prej tij. të njëjtat probleme vijuan edhe në Sarandë, ku shumë përfaqësues të seksioneve socialiste nuk kanë qenë dakord për kryetarin kandidat që kryesia e Partisë Socialiste ricikloi në lokalet e tetorit.

Kontestimet në bazë u shoqëruan edhe me vetë kandidime të pavarura apo duke dalë për parti të tjera. një gjë e tillë nuk u pengua dot nga qendra. Edhe pse ne mbledhjen e kryesisë, Partia Socialiste mori masën ekstreme për këta anëtarë duke deklaruar përjashtimin e tyre nga selia rozë.

Kjo përçarje mund të shkaktoj rrjedhje të votave për kandidatët e Partisë Socialiste, duke rrezikuar fitoren e mazhorancës në zgjedhjet lokale./tvklan.al