Ashtu siç e kishte paralajmëruar protestën e saj të tretë kundër zgjedhjeve të 28 qershorit, Partia Socialiste e zhvilloi në qytetin e Shkodrës.

E çuditshme, por e vërtetë tashmë në këtë parti edhe protestat zhvillohen me dyer të mbyllura.

Tubimi i Shkodrës u bë në Pallatin e Sportit, kjo për shkak të motit të keq, por mediat nuk u lejuan ta filmojnë ashtu siç ka ndodhur me kongresin e jashtëzakonshëm apo me Asamblenë Kombëtare dhe Partia Socialiste shpërndau me sinjalin e saj pamjet që përzgjodhi vetë.

Në këtë protestë folën deputetë të Partisë Socialiste, aleatët e rinj, Legisi e Ngjela e kryetari Rama. Nuk morën pjesë Gjinushi e Milo. E ngaqë lideri i Partisë Ligj dhe Drejtësi, Ngjela foli gjatë, Rama u detyrua të fliste më gjatë se në të gjithë mitingjet e tjera, por risia e kësaj proteste ishte vetë fjala e avokatit.

Spartak Ngjela: “A e dini se çfarë sjell rrëzimi i kësaj qeverie? Për të mbyllur këtë fjalë më lejoni t’jua kujtoj, viza pas 7 ditësh, në Evropë pas 3 muajsh hyni në rast se rrëzojmë këtë qeveri.”

Kjo protestë e pazakontë e Partisë Socialiste do të jetë e fundit që pasqyrohet në Televizionin Klan, nëse kjo forcë politike do të vazhdojë t’i mbyllë dyert e medias.

Televizioni Klan gjithashtu nuk do të transmetoi aktivitetet e asnjë partie politike nëse mediat nuk do të lejohen t’i ndjekin ato./tvklan.al