3.721.116 janë shqiptarët, brenda dhe jashtë kufijve, me të drejtë vote në 11 Maj. Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile ka hartuar ekstraktin e parë të listës së zgjedhësve dhe Ministri i Brendshëm ka bërë publike detajet.
Për herë të parë do të jenë dy lista zgjedhësish. Për shqiptarët e diasporës apo ata që për arsye të miratuara nga KQZ do të ushtrojnë të drejtën e votës nga shtetet ku ndodhen në datën 11 Maj, do të hartohet një listë e posaçme. Pasi të regjistrohen në platformën e ngritur nga KQZ ata do duhet të hiqen nga lista e votuesve brenda territorit të Shqipërisë.
“Zgjedhësit që jetojnë jashtë vendit, kjo listë paraprake do të jetë publike në 9 mars 2025 dhe çdo shtetas do të ketë në dispozicion 48 orë për të shprehur vullnetin përfundimisht nëse duan të votojnë brenda apo jashtë Shqipërisë”.
Ministri i Brendshëm apelon që shqiptarët që jetojnë jashtë të rinovojnë dokumentet e identifikimit.
“Prej disa javësh, është miratuar udhëzimi që lejon aplikimin qoftë edhe për një dokument identifikimi në zyrat tona konsullore. Ministria e Brendshme, në bashkëpunim me institucionet përkatëse, ka ndërmarrë të gjitha masat për të siguruar që ky proces të zhvillohet në mënyrë të drejtë, transparente dhe të aksesueshme për qytetarët tanë jashtë kufijve”.
Nuk janë të përfshirë në listën e zgjedhësve 4356 persona të cilët janë mbi 100 vjeç, apo e festojnë ditëlindjen e 100 deri në 11 Maj, ata duhet ta shprehin personalisht vullnetit për t’u përfshirë në listat e zgjedhësve pranë sporteleve të gjendjes civile.
Në listën e zgjedhjeve janë të përfshirë personat që po vuajnë dënimin në burg për të cilët do të ngrihen qendra votimi brenda ambienteve të institucioneve të vuajtjes së dënimit. Listat nuk kanë të përfshirë shtetasit që ligji për dekriminalizimin i përjashton nga e drejta e votës.
Tv Klan