Ministri i Brendshëm Ervin Hoxha ka përzgjedhur kandidatin që do t’i dërgojë Këshillit të Ministrave për Drejtor të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit.

Nga 5 emrat e kualifikuar në listën finale, Ilir Proda është ai i përzgjedhuri nga ministri i Brendshëm.

Kjo kandidaturë do të duhet të miratohet nga Këshilli i Ministrave.

Ilir Proda mban aktualisht postin e Drejtorit të Policisë së Elbasanit.

Në foto: Ilir Proda

Emrat e tjerë në listë ishin Altin Mena, Ardian Çipa, Neritan Nallbati dhe Skënder Hita.

Policia e Shtetit drejtohet përkohësisht nga Sokol Bizhga, pas dorëheqjes së Muhamet Rrumbullakut.


Karriera e Ilir Prodës

Ilir Proda ka një karrierë rreth 19-vjeçare në radhët e uniformave blu. Ilir Proda kreu studimet në Akademinë e Sigurisë në periudhën 2002-2005. Ai e nisi punën fillimisht në Komisariatin Nr.3 në Tiranë, po kështu vijoi edhe në Komisariatin Nr.4 Më pas ka shërbyer në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit si shef kundër krimeve ndaj jetës dhe lirisë.

Në Tetor të vitit 2013 mori për herë të parë detyrën e shefit të komisariatit Nr.2 deri në Dhjetor 2014. Më pas, nga kjo periudhë deri në vitin 2016 mbajti detyrën e shefit të komisariatit të Bulqizës.

Nga Shkurt 2016-Maj 2017 ka qenë në Sektorin për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit.

Në Korrik 2019-Tetor 2021 ka qenë zv/drejtor për Hetimin e Krimit në Policinë e Korçës.

Nga Tetori 2021 – Mars 2024 ka qenë zv/Drejtor në Policinë e Elbasanit.

Prej Marsi 2024, drejton Policinë e Elbasanit.


Njoftimi i Ministrisë së Brendshme:

Në mbështetje të ligjit Nr. 82/2024 “Për Policinë e Shtetit”, si dhe Udhëzimit të Ministrit të Brendshëm Nr. 160, datë 2.9.2024 “Për përcaktimin e rregullave dhe procedurave për përzgjedhjen e kandidatit për Drejtor të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit”, Ministria e Brendshme shpalli thirrjen publike për aplikim për pozicionin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit.

Komisioni i Posaçëm i ngritur sipas parashikimit të të njëjtit ligj, zhvilloi seanca dëgjimore me qëllim vijimin e procesit të vlerësimit për 11 kandidatët e kualifikuar, sipas kritereve të këtij procesi. Seancat dëgjimore u ndoqën nga misionet partnere pranë Ministrisë së Brendshme dhe Policisë së Shtetit, ICITAP dhe EU4LEA, në rolin e vëzhguesit të procesit.

Komisioni i Posaçëm kreu verifikimin e pastërtisë së figurës për të gjithë kandidatët e kualifikuar, duke kërkuar të dhënat përkatëse nga organet ligjzbatuese si vijon: Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), Prokuroria e Përgjithshme, Shërbimi Informativ Shtetëror (SHISH),  Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit (DPPSH), Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP), Agjencia e Informacionit të Sigurisë së Mbrojtjes (AISM).

Në fund të këtij procesi, ditën e premte 27.09.2024, Komisioni i Posaçëm i dorëzoi në bazë të ligjit Ministrit të Brendshëm listën me 5 kandidatët më të vlerësuar, paraqitur si më poshtë sipas rendit alfabetik:

•             Z. Altin Mena

•             Z. Ardian Çipa

•             Z. Ilir Proda

•             Z. Neritan Nallbati

•             Z. Skënder Hita

Ministri i Brendshëm do t’i përcjellë Këshillit të Ministrave, si kandidat për Drejtor të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, z. Ilir Proda dhe vendimi i Qeverisë për këtë kandidaturë do të merret në mbledhjen e radhës.