Gani Malushi, një polic i vjetër në karrierë është qëlluar me breshëri automatiku këtu përpara Spitalit të Durrësit dhe tashmë policia po punon për kapjen e autorëve të ngjarjes, ndërkohë që Malushi po kurohet në spital në një gjendje mjaft kritike për jetën.

Autorët kanë dalë përpara makinë së policisë me një mjet “Benz” të kuq dhe kanë qëlluar fillimisht me shoferin Gjovalin Ndreu më pas me breshëri automatiku kanë qëlluar edhe mbi shefin e komisariatit Malushi. Autorët janë larguar në drejtim të lagjes Spitallë të Durrësit.

Makina ka dalë jashtë kontrollit deri sa është përplasur me trotuarin dhe të tjera mjete të ndodhura aty. Polici i shërbimit dhe personeli i spitalit kanë mbërritur më parë për ti dhënë ndihmë Malushit si dhe kanë çuar në morg trupin pa jetë të shoferit. Policia ka grumbulluar në një nga korridoret e spitalit dëshmitarët në vendngjarje, por shumë prej tyre tregojnë se gjithçka ka ndodhur shpejtë dhe ka qenë e pamundur të fiksojnë diçka.

Dëshmitar: Isha duke punuar, nuk isha duke parë andej.

Gazetarja: Çfarë dëgjuat?

Dëshmitar: Vetëm krisma.

Gazetarja: Si ishin? Automatik? Patët mundësi ti dallonit?

Dëshmitar: Në fillim mu duk tek e tek, pastaj filloi breshëri.

Dëshmitare: Nuk u afruam aq afër, vetëm pamë që ishe i vdekur, erdhën të gjithë, erdhi, policia, doktori dhe ikën urgjent.

Gazetarja: Po personat që qëlluan u larguan?

Dëshmitare: Nuk i pamë personat. Kur dolëm ne personi kishte ikur.

Gazetarja: Po të shtëna dëgjuat?

Dëshmitare: Po.

Gazetarja: Mund të na thoni ishin, 1-2?

Dëshmitare: Jo, ishin shumë të shtëna. Ishin me breshëri. Kishte shumë të shtëna.

Dëshmitare: Pamë vetëm makinat që u ishin bërë xhamat copë edhe shoferin që ishte i vrarë.

Në vendngjarje janë gjetur gëzhoja të shumta dhe çanta nga kanë nxjerrë armët autorët e krimit. Menjëherë janë vënë në lëvizje efektivët blu të Durrësit dhe speciale të mbërritura në vendngjarje.

Fillimisht është kontrolluar zona e Spitallës. Më shumë se 30 persona janë shoqëruar në polici pasi dyshohet se kanë ndihmuar atentatorët të largohen. Ndërsa ndjekja me qenë ka çuar deri në kodër Arapaj.

Objekti i atentatit mendohet se ka qenë shoferi. Rreth një vit më parë familja e tij ka patur një konflikt të hapur me vëllezërit Pepa nga Mirdita, të cilët kishin dërguar në Itali motrën e tij për qëllime përfitimi.

Babai i të ndjerit Gjovalin Ndreu kishte vrarë njërin nga vëllezërit Pepa dhe këta të fundit sipas policisë janë autorë të vrasjes. Njëri nga vëllezërit Pepa ka qenë më parë në burg i akuzuar për trafik femrash.

Policia e Mirditës dhe e Durrësit ka tentuar disa herë të mbyllë në qeli këta persona si trafikantë, por pa ja arritur kësaj pasi Gjykata e ka liruar si të pafajshëm. Pas ndihmës emergjente në spitalin e Durrësit, Gani Malushi është dërguar për trajtim në spitalin ushtarak ndërsa kufoma e viktimës Gjovalin Ndreu është dërguar në Tiranë pranë mjekësisë ligjore ku do i bëhet ekspertiza./tvklan.al