Qendra Sportive e legjendës së tenisit Rafael Nadal do të hapë dyert në Durrës për fëmijët dhe të pasionuarit e këtij sporti nga Shqipëria e rajoni. Lajmi është njoftuar gjatë një takimi që kryeministri Rama pati me ish-numri 1 të tenisit në botë.
Qendra Sportive Rafa Nadal në Shqipëri do të ketë 12 fusha tenisi, 6 fusha padel, një fushë multi-sportive, një palestër dhe zonë Wellness, një pishinë dhe një zonë restoranti. Përveç kësaj, do të ketë një dyqan dhe një muze me disa nga trofetë e Rafa Nadal dhe objekte të tjera të dhuruara nga atletë të mëdhenj.
Kryeministri Rama konfirmoi se kompleksi i ri do të vendoset pranë qendrës së re të futbollit të Manchester City
“Ka shumë kampionë dhe profesionistë të mëdhenj në botën e sportit, por nuk ka shumë kampionë të jetës dhe të vlerave njerëzore si Rafa. Nga larg, gjithmonë kam pasur përshtypjen se Rafa ishte një njeri i madh, por tani kam edhe më shumë admirim për modestinë e tij dhe mënyrën se si ai i qaset jetës. Mendoj se vlera e kësaj qendre do të qëndrojë jo vetëm në të mësuarit e tenisit apo sporteve të tjera, por edhe në të ndihmuarit e fëmijëve dhe të rinjve për të kuptuar se sa e rëndësishme është të jesh një profesionist dhe një person i mirë.”
Kompleksi i ri, qëllimi kryesor i të cilit është të zhvillojë dhe promovojë tenisin dhe sportin në Shqipëri, do të ritheksojë angazhimin e Nadal dhe ekipit të tij ndaj vlerave në sport dhe edukimit të fëmijëve dhe të rriturve në mbarë botën.
“Jemi shumë të lumtur të njoftojmë ndërtimin dhe hapjen e një qendre në Shqipëri. Projekti është i jashtëzakonshëm dhe ne na pëlqeu vizioni i vendit për promovimin e sportit dhe vlerave të tij. Jam i sigurt se do të ketë sukses.”
Me ambiente sportive moderne dhe me një gamë të gjerë programesh sportive, komplekset e Qendrës Sportive Rafa Nadal do të ofrojnë një eksperiencë të pakrahasueshme për adhuruesit e tenisit dhe sportit në përgjithësi.
Klan News