Rama: Shqipëria e para në rajon; Teliti: Qytetarët po vdesin rrugëve
Vlerësimi i revistës “Lancet” ka sjell një përplasje tjetër mes qeverisë dhe opozitës. Kryeministri Edi Rama ka zgjedhur sot që të publikojë gjetjet e kësaj reviste dhe shkruan se është një vlerësim kuptimplotë për punën e qeverisë për shëndetësinë.
Kreu i qeverisë shton se Shqipëria renditet me pikët më të larta në rajon dhe në një grup me disa nga vendet lindore të Bashkimit Europian.
“MIRËMËNGJES 😊 dhe me këtë vlerësim kuptimplotë për punën tonë transformuese për shëndetësinë nga prestigjozja botërore “Lancet”, e mirënjohur për nivelin e lartë të kompetencës profesionale mbi sektorin e shëndetësisë, e cila e rendit Shqipërinë me pikët më të larta në rajon dhe në një grup me disa nga vendet lindore të Bashkimit Europian, ju uroj një ditë të mbarë 🙏”, shkruan Kryeministri.
Pas këtij reagimi ka ardhur një përgjigje nga Partia Demokratike. Dorian Teliti, shefi i Kabinetit të Lulzim Bashës, shkruan se faktet janë kokëforta dhe asnjë video 3D nuk e fsheh dot të vërtetën që jemi vendi me numrin më të ulët të mjekëve për 1000 banorë në Ballkan.
Sipas Telitit realiteti është shumë ndryshe nga gjetjet e revistës “Lancet”, pasi sipas tij shqiptarët vdesin trotuareve të refuzuar dhe të përzënë nga spitalet.
“ER inaguroi dje për herë të dytë spitalin Covid3 pa bërë asnjë transparencë për aparaturat dhe numrin e mjekëve dhe infermierëve të specializuar që duhet të jenë në shërbim të të sëmurëve me Covid. Ndërsa sot pa gdhirë kërkon t’u mbushë mendjen shqiptarëve se shëndetësia e epokës së rilindjes është e suksesshme dhe konkurruese në botë.
Me një raport që tregon shkallën e vaksinimit të popullsisë, ai po orvatet të bindë shqiptarët se shëndetësia shqiptare është ku e ku më mirë se shëndetësia e vendeve si Turqia ku sot shkojnë për të gjetur shërim oligarkët e PPP-ve në shëndetësi.
Ndërkohë faktet janë kokëforta dhe asnjë video 3D nuk e fsheh dot të vërtetën që jemi vendi me numrin më të ulët të mjekëve për 1000 banorë në Ballkan, kemi pagat më të ulëta për mjekët, kemi buxhetin më të ulët për shëndetësinë dhe kryejmë disa herë më pak testime për COVID se çdo vend i rajonit.
Shëndetësia në 3D e ER është çështje e kinemasë, jo e realitetit. Realiteti thotë që shqiptarët vdesin trotuareve të refuzuar dhe të përzënë nga spitalet. Realiteti i shëndetësisë së ER thotë që mjekët dhe infermierët ikin nga sytë këmbët nga ky vend, ndërsa diploma e studentit të mjekësisë shërben thjesht si vizë pune në Gjermani”, është ky reagimi i Telitit.
Një ditë më parë revista “Lancet” pas një studimi të kryer e rendiste Shqipërinë të parën në rajon për cilësinë e shëndetësisë dhe e krahasonte me disa vende të BE./tvklan.al