Opozita kërkon zgjedhje të parakohshme
Kritika ndaj kuadrove që do jenë pjesë e kabinetit të ri qeveritar, akuza për vazhdim të “zaevizmit”, kritika për politikat financiare të mandatarit Dimitar Kovaçevski, i cili deri tani ishte në postën e zëvendësministrit të Financave, akuza për qeveri jolegjitime dhe kërkesa e VMRO-DPMNE-së opozitare për zgjedhje të parakohshme parlamentare, këto diskutime vazhduan edhe në ditën e dytë të debatit për propozimin për përbërjen e Qeverisë së re dhe programin e punës që e ofron mandatari Dimitar Kovaçevski.
“Mandatari Kovaçevski është person që nuk ka marrë pjesë në zgjedhje, as nuk e ka kërkuar besimin, nuk ka votë të asnjë qytetari dhe nuk e ka legjitimitetin e popullit, për këtë arsye kur flasim për mospasje të legjitimitetit nuk e kontestoni pasi kjo është e vërteta. Pjesa më e madhe e ministrave mbeten dhe janë vazhdim i regjimit hibrid që u mposht në zgjedhjet lokale… Mandatari nuk kishte asnjë fuqi ta ndryshoj dikënd prej ministrave të BDI-së, ata faktorizohen dhe kanë dhënë mesazh të qartë se pushteti janë ata dhe jo LSDM. Në gjendje të katër krizave ekonomike, shëndetësore, energjetike dhe të ngrohjes, mandatari flet për mirëqenie ekonomike”.
Deputetët e shumicës thonë se me qeverinë e re do të jetë kontinuitet i politikave, ndërsa legjitimiteti është fituar në zgjedhje para dy vitesh dhe është konfirmuar me hyrjen e Alternativës në qeveri. Gjatë ditës së djeshme gjatë prezantimit të tij Kovaçevski premtoi zgjidhje të krizës energjetike dhe ekonomike, rritje të standardit ,rritje e pagave dhe pensioneve, si dhe pozicione të forta në procesin me Bullgarinë.
“Deri tani të paktën unë nuk kam dëgjuar se dikush e konteston legjitimitetin e Qeverisë për shkak të zgjedhjeve lokale. Qeverinë e voton shumica parlamentare, të cilën de facto e kemi, jo rrallëherë ndodh që në qeveri të ketë disa koalicione, lëshime të shumicës, kalim në opozitë dhe gjëra të tilla të ngjashme. Edhe një punë që më habit është se lideri I partisë suaj para një kohe paralajmëroi se do të tentojë të formojë qeveri efikase politike, prej ku do ta merrte legjitimitetin ai, pasi siç më kujtohet as lideri juaj nuk ka qenë në listë për zgjedhjet parlamentare.”
Diskutimi për zgjedhjen e qeverisë së re zgjat më së shumti dy ditë. Votimi duhet të ndodh deri para mesnate në ditën e dytë. Që të votohet e njëjta, nevojiten më së paku 61 vota.
Klan Macedonia