Qeveria i ka dorëzuar sot parlamentit të Kosovës projektbuxhetin për vitin 2009, me shpresën se do të përkrahet nga të gjitha grupet parlamentare.
Buxheti i planifikuar për vitin 2009 ka një rritje prej 15%, krahasuar me vitin 2008. Kryeministri Hashim Thaçi në një konferencë për media ka thënë se në vitin e ardhshëm do të jenë në dispozicion 1.4 miliard euro.
Hashim Thaçi: “Ky është rasti dhe mundësia e parë në historinë e vendit tonë, që një qeveri sovrane e Kosovës, hartoi buxhetin e vet kombëtar, në pajtim me kushtetutën e republikës së Kosovës. Kishim tre qëllime të ndërlidhura në krijimin e këtij buxheti. 1. Përmirësimin e cilësisë së jetës për qytetarët e republikës së Kosovës. 2. Vendin e Kosovës në rrugët e rritjes së qëndrueshme dhe zhvillimit ekonomik. 3. Përshpejtimin e hyrjes së Kosovës në institucionet ndërkombëtare financiare, fondin monetar ndërkombëtar dhe bankën botërore.”
Pjesa dërrmuese e buxhetit të vitit të ardhshëm do të destinohet në infrastrukturë, arsim, shëndetësi dhe shërbime sociale. Por ashtu sikurse edhe në vitet e kaluara një pjesë e mirë do të ndahet për sektorin e energjisë.
Kryeministri tha se viti 2009 është viti i fundit ku qeveria ndan mjete për energjetikën.
Hashim Thaçi: “Kjo formë patjetër që duhet ndërprerë, duhet ndaluar. Kjo nuk është e qëndrueshme dhe parandalon vendin tonë të bëhet pjesëmarrëse e plotë dhe vital në ekonominë e standardeve Evropiane.”
Me gjithë rritjen e buxhetit, Kosova vazhdon të jetë ndër vendet e rajonit me buxhet më të vogël./tvklan.al
Gazetar: Leonard Kërquki