Të gjitha rrugët turistike që lidhin plazhet e Jonit me aksin e rrugës kombëtare përgjatë rivierës do të jenë asfaltuar para sezonit veror të vitit të ardhëm.

Deklarata e bërë javën e kaluar nga kryeministri ka angazhuar menjëherë Ministrinë e Punëve Publike, e cila këto ditë do të fillojë nga puna për identifikimin e të gjitha rrugëve dytësore për plazhet e jugut.

Zëvendës ministri Ernest Noka tregon se rrugët e Palasës, Dhërmiut, Jalës, Livadhit apo Borshit janë vetëm disa prej segmenteve që do të përfundojnë së ndërtuari brenda qershorit të vitit të ardhshëm.

Ernest Noka: “Rrugët që janë identifikuar apo që kanë filluar punimet, por edhe rruhet që do t’i identifikojmë me shpejtësi të madhe gjatë muajit Shtator, do t’i tenderojmë të mbarojnë brenda muajit qershor të vitit të ardhshëm. Rruga që shkon në plazhin e Palasës, në plazhin e Dhërmiut, në plazhet e Himarës, rruga që të çon në Butrint, bashkë me rrugët që të çojnë në Ksamil. Të gjithë këto rrugë duhet të mbarojnë brenda Qershorit.”

Krahas kësaj Noka shton se me qëllim eliminimin e trafikut në zonën Ujit të Ftohtë në Vlorë po studiohen dy variante.

Ernest Noka: ‘Një variant është në faqet e maleve mbi ndërtimet në zonën e Vlorës, në zonën e Radhimës për të shkuar deri në Orikum. Një rrugë tjetër që mund të jetë mbi faqen e malit.”

Përmirësimi i infrastrukturës rrugore sidomos asaj në shërbim të zhvillimit të turizmit është një ndër prioritet e qeverisë, e konkretizuar me një sërë projektesh përgjatë gjithë vijës bregdetare por edhe në zonat malore të vendit./tvklan.al

Gazetar: Fjorald Zguro