Ministria e Transporteve, ka gati projektin për ndërtimin e një pjese të Unazës së madhe të Tiranës, Numri dy i kësaj ministrie, Ernest Noka, tregoi për Televizionin Klan se bëhet fjale për një segment 7 kilometra të gjatë që shumë shpejt pritet të kaloje në tenderim, ndërkohë që po punohet dhe me pjesën tjetër të Unazës së Madhe pavarësisht neglizhencës nga ana e Bashkisë së Tiranës për këtë projekt.
Ernest Noka: “Siç dihet zhvillimi i unazës së madhe ka qenë dhe është akoma aktualisht detyrë e bashkisë. Ne si ministri kemi filluar.. kemi mbaruar projektin nga Ura e Brrarit tek Ura e Kamzës, prej rreth 7 kilometra me një kosto rreth 180 milion euro, kosto ndërtimi”.
Ky segment përbën rreth ¼ pjese të gjatësisë së unazës së madhe duke i shërbyer mesë miri kanalizimit të trafikut që mbërrin jo vetëm nga zona veriore por edhe ajo verilindore e vendit.
Fjorald Zguro: “Gjendem në skajin lindor të gjurmës ku është projektuar ndërtimi i unazës së madhe të Tiranës, pikërisht në urën e Brarit, këtu është parashikuar gjithashtu të kaloj dhe rruga e Arbrit”.
Prej kthesës së Kamzës, Unaza e madhe i drejtohet rrethrrotullimit të doganës duke shfrytëzuar segmentin ekzistues deri tek shkolla teknologjike, megjithatë në mbledhjen e fundit të qeverisë kryeministri Berisha deklaroi se do të studiohet edhe një variant tjetër.
Sali Berisha: “Tek shkolla Teknologjike është e vështirë të pranohet për unazë ajo. Ajo është bërë zemër Tirane. Prandaj të shifet se mund të… si unazë e madhe mund të zbritet më poshtë, më drejt jugperëndimit”.
Gjurma e unazës së madhe i drejtohet Saukut për t’u ngjitur në Shkoze e më tej drejt Dajtit dhe e mbyll rrethin tek Ura e Brarit.
Sipas zv/Ministrit të Transporteve ka shumë gjasa që në projektin e Unazës së Madhe të përfshihet edhe ndërtimi i një tuneli në Dajt dhe disa të tjerëve më të vegjël në kodrat e Saukut. Kjo për shkak të pjerrësisë që duhet të respektojë një rrugë e tillë.
Ernest Noka: “Në disa zona, sidomos në zonën lindore do jemi të detyruar të ndërtojmë tunel pasi vetë terreni është kodrinoro-malor”.
Ndërtimi i Unazës së Madhe, me një kosto prej rreth 400 milionë eurosh, do t’i jepte frymëmarrje trafikut të rënduar në kryeqytet, pasi aktualisht Tirana renditet në një ndër qytetet me sipërfaqen rrugore më të vogël në Evropë dhe në botë./tvklan.al
Gazetari: Fjorald Zguro