Tirana dhe Elbasani mendohet do të lidhen me një rrugë të re e cila redukton kohën e udhëtimit mes këtyre qyteteve në vetëm 20 minuta. Në kërkim të koncesionit janë në garë disa projekte, njëri prej të cilëve ai që parashikon edhe ndërtimin e një tuneli rreth 2,5 kilometra të gjatë në Qafë Krrabë, është prezantuar së fundmi në qytetin e Elbasanit. Bëhet fjalë për një autostradë 31,5 kilometra të gjatë e cila fillon në unazën e re të Tiranës në Sauk, vazhdon në Mullet, në Qafë Krrabë, përshkon një tunel e del në Bradashesh të Elbasanit.
Zëvendës ministri i punëve publike, Ernest Noka, i pranishëm në prezantimin e projektit garantoi për mbështetjen e qeverisë, pasi projekte të tilla janë pjesë e strategjisë për zhvillimin e infrastrukturës rrugore kombëtare.
Ernest Noka: “I ka të gjithë treguesit teknikë, i ka të gjithë treguesit ekonomik, i ka të gjithë treguesit social është një kërkesë që vjen nga biznesi vendas dhe interesi i qeverisë dhe i politikës shqiptare është t’i japë prioritet biznesit vendas
Sipas projektit të prezantuar nga kompania “Krraba 2007”, autostrada Tiranë- Elbasan do të jetë 25 metra e gjerë me 4 korsi, dhe mendohet të kushtojë 170 milion Euro. Por për ndërtim e një segmenti të ri rrugor në letër ka edhe projekte të tjera si ai që nis nga Kashari kalon në Vaqar e del në Paper të Elbasanit ku parashikohet edhe ndërtimi i disa tuneleve të shkurtër, apo edhe një projekt tjetër që alternon dy varantet e para.
Gjithsesi, rezultantja e tyre është shkurtimi i distancës dhe sidomos i kohës së udhëtimit mes këtyre dy qyteteve duke e shndërruar Elbasanin në një lagje të Tiranës. Projektet janë akoma në fazën fillestare dhe pritet që në vjeshtën e këtij viti të hidhen hapa konkrete./tvklan.al
Gazetar Fjorald Zguro