Elbasani pritet të shndërrohet në një lagje të Tiranës falë ndërtimit të një autostrade që përgjysmon distancën e që redukton në vetëm 15 minuta kohën e udhëtimit me automjet mes të dy qyteteve.

Pranë ministrisë së Punëve Publike ka nisur një studim që po shqyrton gjurmën e autostradës së re Tiranë-Elbasan. Numri dy i kësaj ministrie, Ernest Noka thotë, se një nga variantet është ai që nis nga Kashari kalon në Vaqarr e del në Papër të Elbasanit dhe ku parashikohet edhe ndërtimi i disa tuneleve të shkurtër.

Ernest Noka: “Kemi kthyer superstradën aktuale nga Durrësi në Tiranë dhe në Elbasan me një autostradë të mirëfilltë me 6 korsi, duke ardhur nga Durrësi afër Qafës së Kasharit dhe nga Kashari duke bërë një by-pas Tiranës në drejtim të Vaqarrit, Arbanës dhe duke u lidhur me Elbasanin ose Papërin. Në qoftë se sot është 51 km nga Tirana në Elbasan ajo do jetë 32 km.”

Po kaq probabel është edhe projekti i autostradës që kalon në anën lindore të Krrabës, duke filluar nga Sauku, Mullet e më tej në Qafë-Krrabë e duke përfunduar në Bradashesh të Elbasanit, një autostradë kjo me 4 korsi.  Zëvendës drejtori i përgjithshëm i rrugëve, Skënder Çota, thotë se ky variant përfshin ndërtimin e një tuneli në Kërrabë me gjatësi prej 3 kilometrash.

Skënder Çota: “Është krejt fizibël, ndërtimi i autostradës Tiranë-Elbasan me tunel në një autostradë që shkurton në dyfish distancën që mbledh trafikun e boshtit qendror, jugor duke filluar Kuçovë, Berat, Memaliaj, Përmet, Gjirokastër dhe Sarandë, pra shkurton gjithë këtë rrugë me një orë e gjysëm gati, por njëkohësisht merr edhe pjesën verilindore të Shqipërisë. Pika e fillimit  do të jetë nyja me unazën e re të Tiranës, në Lundër, në Mullet, afrohet në Ibë, në Krrabë, del në anën tjetër në luginën e Bradasheshit, Elbasan.”

Ndërsa një variant i tretë, alternon dy projektet e para. Interesi për ndërtimin e autostradës Tiranë-Elbasan duket se është i madh nga kompani private që kërkojnë marrjen e kësaj me koncesion. Por drejtues të ministrisë së punëve publike thonë se qeveria është e gatshme ta ndërtojë këtë aks edhe me fondet e veta. Projekti i përzgjedhur, pritet të konkretizohet në fillim të vitit të ardhshëm dhe me eksperiencën e fituar, ndërtimi i autostradës sqarojnë specialistët nuk do të kërkojë me shumë se 2 deri në 3 vjet./tvklan.al

Gazetar: Fjorald Zguro