Lajme Arkiva – TV Klan 2004
Na është dashur një tjetër tragjedi me përmasa të jashtëzakonshme për të kuptuar se në Shqipëri strukturat shtetërore funksionojnë si mos më keq. Jeta e shuar e 15 nxënësve kosovarë që erdhën për të vizituar vendin amë, por që nuk do të kenë kurrë më të rrëfejnë atë që panë, kanë nxjerrë në pah se sa e mjerueshme është infrastruktura shqiptare.
Aksidenti tragjik, me një çmim tepër të lartë, tregoi se sa bosh, madje dhe kriminale janë sherret, premtimet dhe gënjeshtrat e politikanëve që kanë mbi 5 vjet që predikojnë ndërtimin e rrugës Durrës-Morinë. Qeveria në mungesën e zakonshme të kryeministrit, vërtetë u kujtua të shpallë sot ditë zie, por ajo duhet të dilte përpara qytetarëve për të treguar se çfarë është bërë më taksën Majko? Ku kanë shkuar paratë që kanë paguar shqiptarët dhe çfarë është bërë me rrugën që me aq bujë inauguroi zoti Nano?
Ministria e Rendit duhet të sqaronte, se përse nuk shoqërohen më me makina policie autobusët e Kosovës, çfarë masash janë marrë ndaj shkeljeve të tmerrshme të qarkullimit, sa patenta anë hequr apo sa drejtues mjetesh janë ndëshkuar? Drejtoria e Rrugëve duhet të jepte llogari, se përse rrugët nacionale ende janë pa sinjalistikë, ndriçim e mbrojtje anësore, e kështu me radhë deri sa vërtetë dikush të marrë përgjegjësinë mbi supe. Por ky shteti ynë ka kohë që është shndërruar në shtet llafesh dhe imazhesh falso.
Qeveria merret me ditën e zisë, ministri i rendit bashkë me të tjerë bënë ngushëllime para kamerave, zyrtarët shfaqen në vendngjarje duke zbritur nga helikopterët me fytyra të pikëlluara. Por askush nuk merr guxim të thotë që nga i pari e deri tek i fundit të thotë, se cila është përgjegjësia e tyre. Përtej pamjes së sforcuar të dhimbjes në fytyrat e zyrtarëve, duket sikur thuhet, “po ky aksident ku na gjeti edhe këtë kishim mangut”, sepse prej kohësh ata vegjetojnë pothuajse pa bërë asgjë./tvklan.al