Kryeministri përfitoi nga prania në podkastin e tij si bashkëbisedues të një sipërmarrësi shqiptar që punon e jeton në Kretë për të bërë thirrje që shqiptarët e diasporës të mos e humbasin shansin historik për të ushtruar të drejtën e votës nga shtetet ku jetojnë.

“Kush dëshiron, duhet të nxitojë që të regjistrohet dhe mirë është që të regjistrohet gjithësecili, sidomos shqiptarët e Italisë dhe Greqisë që janë dëshmitarë të shumë ndryshimeve që kanë ndodhur. Shpresoj që sa më shumë të marrin pjesë, aq më mirë është.”

Me Fatjonin që ka një kompani me fokus ambalazhimin e prodhimit bujqësor në ishullin grek të Kretës, Rama foli dhe për mundësinë e kthimit dhe importimit të të njëjtit aktivitet në Shqipëri.

Mundësi që i riu thotë se e kanë diskutuar jo pak herë me shqiptarët që përbejnë 35 për qind të sipërmarrësve në bujqësi në Kretë. Stepja siç pranon lidhet me dilemat nëse do gjejnë të njëjtën klimë biznesi dhe mbështetje me fonde, garancitë ia jep Kryeministri.

“Unë them që Shqipëria është sot e gatshme për të pritur shumë më tepër emigrantë mbrapsht dhe nuk është Shqipëria ajo që duket nga televizori. Në rast se këta që kanë dilemë, punojnë dhe tokën e tyre këtu, me siguri që bëjnë sukses.”

Tv Klan