Kryeminstri Rama ka shpjeguar planin e tij që Shqipëria të jetë anëtare e Bashkimit Europian brenda vitit 2030. Në një intervistë pas Konferencës Ndërqeveritare në Luksemburg, ai theksoi se ky plan është i realizueshëm dhe se do të kurorëzojë mandatin e 4 të qeverisë socialiste.

“Plani nuk është një plan se kemi ne dëshirë të kemi një plan. Është një plan i përpunuar dhe i dakordësuar me komisionin duke menduar që brenda mandatit të katërt puna të jetë përmbyllur dhe Shqipëria të konsiderohet një vend me detyra të kryera.”

Shqipëria hapi negociatat e anëtarësimit njëkohësisht me fqinjët e Maqedonisë së Veriut, por për kryeministrin Rama tani që vendi ynë ka hedhur një hap më tej në procesin e integrimit, sqaron se çdo vend ka rrugëtimin e tij individual.

“Kjo është një korsi individuale e çdo vendi dhe nuk jemi të lidhur në çift me askënd përgjithmonë sepse ka vetëm një lidhje në çift që shqiptarët kanë vendosur vetë që ta bëjnë dhe është lidhja me Bashkimin Europian, ndërkohë që të gjitha lidhjet e tjera në çift që kemi jetuar në shekuj kanë qenë lidhje të imponuara.”

Në intervistën e dhënë në Luksemburg kryeministri Rama foli edhe për opozitën. Sipas tij shumica nuk mund të ngadalësojë ecurinë drejt integrimit vetëm pse kundërshtarët e socialistëve sipas tij, nuk pranojnë vendimet e drejtësisë se re. Rama theksoi se më shumë janë goditur nga organet e drejtësisë dhe shumica e tyre janë majtas.

“Përsa i përket opozitës unë nuk kam çfarë të them. Ne nuk mund as ta ndalojmë, as ta ndryshojmë, as ta ngadalësojmë dhe as të ndërhyjmë në procesin pa kthim të vendosjes së drejtësisë përmes një sistemi drejtësie të pavarur dhe natyrisht, heqja e duarve të politikës nga drejtësia ka krijuar dhembje, ka krijuar situata me të cilat ne nuk jemi mësuar dhe drejtësia ka goditur majtas dhe djathtas. Më shumë majtas sesa djathtas nëse e marrim në aspektin kuantitativ, por kjo është ajo që kemi kërkuar.”

Kryeministri Rama theksoi se “kush nuk do të pranojë vendimet e drejtësisë, është i destinuar t’i bjerë murit me kokë dhe në fund është koka dhe jo muri që do bëjë prapa.”

Klan News