Kryeministri ka përsëritur dhe në takimin që zhvilloi këtë të mërkurë me pensionistët e Durrësit se pensionet do të rriten gjatë mandatit të katërt.

Ai thotë se arsyeja përse pensionet nuk janë rritur në 3 mandatet qeverisëse të PS-së lidhen me gropën e krijuar në Fondin e Sigurimeve Shoqërore nga kompanitë që bëjnë evazion fiskal duke mos deklaruar pagat reale.

“Paga që shteti di për ty është paga që punëdhënësi ka deklaruar për ty. Ajo që ke marrë me bankë. Ajo që ke marrë ti në dorë se të ka ardhur mirë që ta marrësh sepse thua “hajt se e kemi pa taksa”, ajo ka ikur.”

Por në këtë pikë, Rama bën përgjegjëse dhe drejtësinë, duke veçuar SPAK-un dhe duke shigjetuar Prokurorinë e Tiranës, Kryeministri e akuzon se nuk i godet sipërmarrësit që janë denoncuar nga organet tatimore se kanë kryer evazion.

“Në Prokurorinë e Tiranës prej vitesh janë mbuluar me trupat e prokurorëve dosje ulëritëse të evazionit fiskal. Më vjen keq ta them, por e kanë Prokurorinë në xhep sepse unë nuk gjej asnjë shpejgim tjetër.”

Ndërkohë, ministri i Ekonomisë lajmëroi se indeksimi i pensioneve vitin e ardhshëm nuk do të bëhet në Tetor, por në muajin Prill.

“Indeksimi i Prillit i vitit 2025 është rreth 50 milionë Euro të tjera.”

Rama përsërit se bonusi i fundvitit për pensionistët do të rritet në një masë që do të lërë të kënaqur këtë kategori. Dhe këtu ndalet të krahasohet me atë që bënte paraardhësi i tij në qeveri.

“Ka qenë njëri që e mbani mend ju që thoshte “do ju japim gjel” që është duke kënduar si gjysma gjel atje në majë të penxheres.”

Pensionistëve që janë simpatizantë të partisë së tij, ju kërkon të mos merren me kundërshtarët edhe pse vetë nuk i lë pa një koment.

“Butësia dhe durimi janë virtyt. Më keq se janë nuk kanë se ku shkojnë. Në gropën që i kanë bërë vetes, nuk ju kemi bërë ne.”

Gjatë diskutimit me pensionistët, Rama pranon se po rishikojnë ligjin për të lejuar atë kategori që kanë dalë përpara kohe në pension, të punojnë.

Tv Klan