Pas Reformës në Drejtesi, shumica socialiste propozon një tjetër reformë që synon reformimin e të gjithë hallkave të qeverisjes dhe institucioneve të pavaruara që do të bëhet në bashkëpunim mes tre pushteteve: Ekzekutivit, Legjislativit dhe Gjyqësorit.

“Të ngrejë një Komision të Posaçëm Parlamentar, i cili të adresojë ndërmarrjen e reformave që synojnë mirëqeverisjen, sundimin e ligjit dhe anti-korrupsionin.”

Kryeministri Rama në fjalimin e tij më të gjatë të karrierës politike 26-vjeçare shpjegon se arsyet përse ndërmerret kjo nismë që u prezantua si projektrezolutë përpara grupit parlamentar dhe kabinetit qeveritar, ka qëllim anëtarësimin brenda 2030-ës në BE.

“Ne duhet të angazhohemi sot për ngritjen e një dallge të re reformimi institucional me përfshirjen e 3 pushteteve kushtetuese të kësaj republike.”

Armiku që targeton kjo reformë, Rama siguron se është korrupsioni.

“Kemi në dorë shumicën e parlamentit dhe drejtimin e pushtetit ekzekutiv pa qenë të detyruar t’i themi dajë asnjë derri, prandaj, o e fitojmë ne këtë luftë të madhe të Shqipërisë bashkë me gatishmërinë për të marrë çdo kosto, ose kjo dallga e drejtësisë së re kundër abuzuesve të pushtetit politik, do të thyhet nëpër shkëmbinjtë të poltikës së vjetër anti-shtet.”

Për të, shtrin dorën e bashkëpunimit të gjithë opozitës që i fton të jenë pjesë e komisionit të posaçëm.

“Luftën tuaj politike vazhdojeni si ta mendoni ju, por le ta krijojmë një hapësirë jashtë territorit të kësaj lufte, një vend pune të përbashkët me aleatët tanë strategjikë për të adresuar procesin e mëtejshëm të shtet-bërjes evropiane të Shqipërisë, zgjedhjet janë vitin e ardhshëm dhe nëse me gjithëmend do të vini në pushtet, atëherë duhet të jeni të parët për këtë iniciativë.”

Por përpara saj, Rama u ndal gjatë jo vetëm të shpjegojë korrupsionin si koncept dhe vështirësitë për t’u luftuar në këto afro 11 vite në pushtet, por dhe akuzat në adresë të qeverisë së tij për të korruptuarit e vendosur përpara drejtësisë.

“I dëgjoj dhe kur thonë “hajde na jep përgjigje ti Edi Rama për këtë miun, një karrige më poshtë se ai i yti është”. Jo, nuk është asi i mi dhe as i yni, por është vetëm dhe ekskluzivisht i drejtësisë.”

Përsërit se nuk ka mbrojtje për asnjë sado afër t’i ketë qëndruar gjatë karrierës politike. Për meritat për arritjet thotë se duhet përdorur përemri “Ne”, ndërsa përgjegjësitë dhe kostot penale, sipas tij janë individuale.

“Në parlament apo në qeveri, deputet apo minsitër nuk është as “Ne”, nuk është as i yni dhe nuk ka asnjë punë me ne, ashtu sikundër kushdo që është zgjedhur në krye të çdo bashkie, nëse fut fuart në xhepat e këtij shteti nuk ëshët “Ne”. Çdo anëtar i kësaj familje të madhe politike që bën korrupsion në funksionin publik është vetëm një tradhtar i dyfishtë jo vetëm i popullit shqiptar, por edhe i PS. Lajmi se kemi një parazit më pak në trupin tonë, ëshët shumë i mirë.”

Sikurse ju përgjigjet kundërshtarëve politikë dhe mediave për lëshim të njerëzve të tij përballë akuzave.

“Unë nuk lëshoj vetëm djalin e vogël në ndonjë shkëmb të lartë në det kur do të hidhet, por nuk mund të mbaj asnjë burrë me para të vjedhura, kur i vjen ora të thirret. Nëse nuk ke bërë gjë, nuk ke nevojë të ët mbaj as unë dhe as PS, por të mban PS-ja.”

Por dhe për përgjegjësitë morale që herë pas here i kujtojnë se ka si kryeministri që ka disa vartës të hetuar dhe dënuar për korrupsion.

“Gjasme përgjegjësi morale që predikohet nga njerëz të akuzuar dhe të izoluar në ballkone për korrupsion apo të dalë nga binarët e arsyes për shkak të hetimeve të korrupsionit të tyre që i ndjek si hije edhe në gjumë, jo vetëm që nuk ka asnjë legjitimitet moral apo politik, por në fakt synon krijimin e një mekanizimin diabolik.”

Rama siguron se nuk e kontrollon SPAK-un, sikurse siguron se nuk do ta ketë nën kontroll këtë strukturë.

“Ne jemi vetë të çarmatosur, e çfarë më duhet mua kontrolli i SPAK-ut që unë të shqyhem ditë natë në krye të punëve, ta kontrolloj SPAK-un që ndonjë mes nesh të flejë reaht në dyshekun e puplave mes korrupsionit.”

Rama i përgjigjet kreut të SPAK-ut me shifra lidhur me shqetësimin që ai ngriti për uljen e numrit të rasteve të korrupsionit të denoncuara nga vetë njësitë qeveritare.

“Në vetëm 2 vitet e fundit, Drejtoria e Përgjigjshme Anti-Korrupsion në Ministrinë e Drejtësisë ka dorëzuar në Prokurori 48 kallëzime penale.”

E ndërsa SPAK-un dhe punët e tij e veçon si ishull të vecuar brenda drejtësisë pavarësisht se përmend disa të meta, nuk e lë rastin t’i ikë për të akuzuar Prokurorinë e Tiranës, si dy segmenet brenda sistemit që nuk kanë të njëjtat prioritete.

“Sistemi i drejtësisë jashtë atij ishulli, rasti i evazorëve që kanë strehim politiko-ekonomik në Prokurorinë e Tiranës është ulëritës, por jo i vetmi.”

Tv Klan