Siç raportohet nga gazetarët, në mbledhjen e djeshme të Asamblesë së PS-së, kryeministri Edi Rama ka pasur ‘kritika’ dhe për drejtuesin politik të Tiranës Erion Veliaj. Analisti Fitim Zekthi tha në “Opinion” se sheh një tension të lartë mes tyre.
Më tej ai thekson se ka një prishje ekuilibrash brenda Partisë Socialiste, situatë të cilën sipas tij Rama po mundohet ta fshehë. Mbledhjen e socialistëve të Dielën, Zekthi e cilëson një mënyrë për të dëshmuar “fuqi politike”.
-A mund të përkthehet si një tension i brendshëm mes Ramës dhe Veliajt?
Fitim Zekthi: Për mua po, është një tension i lartë. Jo vetëm mes Ramës dhe Veliajt. Unë mendoj që Rama mund të jetë shumë i shqetësuar për luftën e brendshme që mund të jetë vitalizuar nga SPAK-u. E ka prekur PS në disa ekuilibra shumë të brishtë. Disa njerëz po goditen dhe ata që po goditen duan të mbrohen duke i kërkuar Ramës mbrojtje. Rama nuk i mbron dot dhe kjo ka prodhuar një vlim të vërtetë aty brenda.
Faktin që kreu i qeverisë anashkaloi pyetjet për ish-ministrin Arben Ahmetajn dhe emri i këtij të fundit nuk u përmend gjatë mbledhjes, për Zekthin përbën shqetësim në radhët e socialistëve.
“Vlimin e brendshëm” të partisë në pushtet, analisti e shpjegon kështu: Erion Veliaj ka një pol të caktuar, Taulant Balla përfaqëson diçka dhe ka një politikë të caktuar, Fatmir Xhafaj ndoshta, Ditmir Bushati ndoshta. Por më kryesorja, PS drejtohet nga 3 komponentë të rëndësishëm. Një vijë politike që është Rama me disa njerëz që nuk kanë ideologji të madhe, janë kryesisht liberal, komponentët e krimit të organizuar dhe ata të biznesit klientelist. Këto komponentë e menaxhojnë pushtetin duke marrë secila privilegje politike, ekonomike. Rënia e njërës e prish gjithë ekuilibrin. Rama gabimin politik e bëri në 2013-ën, kur mblodhi gjithkënd për të marrë pushtetin. Ajo shprehja e famshme “të mbledhim gjithë qelbësirat për të marrë pushtetin.”/tvklan.al