Vijon turi i takimeve në kuadër të “Rienergjizimit të Partisë Socialiste”. I ndodhur në Kukës, kryeministri Edi Rama ka diskutuar me organizatat partiake atje për synimet e kësaj force politike. Ai u shpreh se Shqipëria është në një fazë të re në shumë sektorë, që nga ekonomia e deri te pozicioni i vendit ndërkombëtarisht.


“Sot është një kohë kur Shqipëria e ka hapur një portë të re, për ekonominë, drejtësinë dhe duke u vënë në një pozicion të ri ndërkombëtar. Por ama pas kësaj porte të re ka një rrugë që vazhdon. Ka qëllime të përbashkëta që kërkojnë më shumë punë e përkushtim për objektiva strategjikë. Ne kemi bërë shumë gjëra, por nuk diskutohet që përgjithësisht janë punë që duhen çuar përpara. Është një fazë e re e ekonomisë shumë premtuese, por duhet materializuar. Duhet të synojmë të transformojmë tregun e punës për mundësi të reja, sidomos për më të rinjtë që kërkojnë punë të mirëpaguara. Për t’iu dhënë instrumenta në duar që të jenë të vlefshme në vendin e punës. Kemi një sens të drejtësisë që është i duhuri. Nuk ka më njerëz të gjithëpushtetshëm që nuk përgjigjen para drejtësisë. Ama ka shumë probleme akoma, ka halle akoma për të adresuar e zgjidhur. Po kështu dhe pozicioni i ri i Shqipërisë ndërkombëtarisht nuk mund të thuash se është i konsoliduar. Të gjitha këto mund të kthehen mbrapa jo thjesht se ne mund të mos fitojmë zgjedhjet se është probabilitet i ulët, por nëse ne nuk jemi vazhdimisht të gatshëm. Çdo skuadër sado e madhe të jetë, kur mbaron një kompeticion dhe fillon një trofe, të nesërmen fillon stërvitjen. E nesërmja është një rifillim nga e para i rrugës për t’u ngjitur më lart.”

Sipas kreut të qeverisë, organizatat e PS duhet të jenë më aktive për anëtarësimet e reja.

“Organizatat e PS duhet të jenë aktive, për të hapur derën dhe për ‘u liruar ose ngushtuar pak që të tjerët të hyjnë në sofër, që të jemi më të fortë. Na duhet të fuqizojmë PS që të fuqizojmë Shqipërinë.”

Nisur dhe nga Kukësi si një zonë me destinacione mjaft atraktive, Rama theksoi se PS do punojë fort për të rritur investimet në turizmin malor dhe agroturizmin.

“Detyra prej kaq vitesh më ka çuar cep më cep, dhe besoj që e njoh mirë trupin e Shqipërisë. Kemi një mënyrë të menduarit që kur themi turizëm mendojmë plazhin  e detin, por unë po ju them që kur malet të zbulohen dhe të bëhen të arritshme aty është ari me më shumë karat që ka miniera e turizmit shqiptar. Na duhet kohë për të krijuar bazën e investimeve të vazhdueshme në male. Por kush investon sot në turizmin malor, bën një investim shumë të mençur. Në këtë zonë ka mrekullira dhe do bëjmë çmos të gjejmë mënyra të nxisim investime në Kukës e Tropojë. Por, nuk ka emigrant të investojë kursimet për shtëpinë e gjyshit, për ta kthyer në bujtinë apo hotel, që të mos fitojë disa fish më shumë se ç’fiton nga puna në tokë të huaj. Ty të vjen bota te dera, deri në mal.”/tvklan.al