Kryeministri Edi Rama është shprehur ashpër ndaj opozitës duke thënë se dezinformon dhe fabrikon realitetin e sistemit shëndetësor në Shqipëri. Rama tha se spitalet nuk janë në kolaps.

“Të përdorin maskën e trurit për ta mbrojtur nga toksinat që përhapen në mënyrë intensive që përhapen nga fabrikime, sajesa e shpifje se fatkeqësisht në këtë luftë Shqipëria ka një specifikë që është zor ta ndeshësh në ndonjë vend tjetër, se ka një nga opozita, ajo jashtëparlamentarja që për fat të keq edhe një herë në 100 vjet kur bie një sëmundje, mbi tërë botën dhe prek edhe popullin e Shqipërisë nuk gjen arsye dhe forcë morale për t’u bashkuar me shumicën, jo me qeverinë dhe për të luajtur një rol njerëzor dhe konstruktiv, jo duke hequr dorë nga kritikat, jo duke hequr dorë nga detyra për nxitur e qeverinë në drejtimin e duhur, por duke mos bërë krimin e dezinformimit dhe fabrikimit të një realiteti që nuk është realiteti i sotëm i spitaleve tona dhe sistemit tonë të mbrojtjes përballë këtij armiku të padukshëm. Është kriminale tu thuash shqiptarëve që spitalet janë në kolaps sepse mund të ishim, por nuk janë. Mund të ishin siç janë në disa zona brenda kufijve të shteteve të fuqishme të botës. Që të sëmurët dergjen dyshemeve, nuk është e vërtetë. Mund të kishte ndodhur siç ka ndodhur në spitale të Lombardisë”, tha Rama.

Rama u ndal të fliste edhe për rastet e vetëvrasjeve për shkak të Covid.

“Sot kishin shkruar njerëzit hidhen nga ballkoni se bën zhurmë të padurueshme, se sistemi i oksigjenimit bën një zhurmë të barabartë me atë të ngritjes së avionëve. Zhurma është e njëjtë me aparaturat në të gjithë botën, kemi të njëjtat aparatura moderne. Të gjitha këto akuza krijojnë ankth e pasiguri si propaganda që vetëm këtu kanë ndodhur vetëvrasje në radhën e personave të prekur nga Covid. Nuk është e vërtetë. Në asnjë vend tjetër nuk është hedhur përpjetë asnjë qeveri që t’ia faturojë këto përgjegjësi qeverisë. Disa ditë më parë personeli shëndetësor i spitalit të Liezhit në Belgjikë personeli shëndetësor edhe pse i prekur me Covid u urdhërua të vazhdojë punën për shkak të shterimit të burimeve njerëzore. ky lajm u përhap gjithandej me shpejtësi. Ne nuk bëjmë dallim nga të tjerët”, tha Rama.

Kreu i qeverisë u shpreh se asnjë qeveritar nuk ka marrë ndihmë në Turqi

“Nuk ndalojmë njeri që beson se mund të marrë shërbim më të mirë të shkojë në Turqi, por asnjë qeveritar nuk ka shkuar në Turqi. Nga ministrat tanë asnjë nuk ka shkuar në Turqi”.

Kreu i ekzekutivit u shpreh edhe për numrin e testimeve. Ai tha se është ndjekur dhe do të ndiqet strategjia e gjurmimit të rasteve.

“Qoftë në vendet që kanë bërë numrin më të madh të testimeve, qoftë në vendet që kanë bërë më pak testime zinxhiri i infeksionit nuk është ndërprerë. Pasojat nuk rezultojnë të jenë të ndryshme fare. Përkundrazi mund të shohësh vende që kanë më shumë testime dhe kanë më shumë pasoja dhe vende që kanë më pak testime kanë më pak pasoja. Thelbi të cilin e kanë shpjeguar qysh në krye të herës ekspertët tanë është ai që ka qenë dhe ai që mbetet sot, strategjia e testimit lidhet me identifikimin dhe gjurmimin. Në momentin kur ndjen simptoma të dyshimta, por jo shqetësuese karantinohu dhe merr këshillat e mjekut, të familjes, sillu njësoj sikur ta kesh covid-in”./tvklan.al