“Detyrimi i testit të tamponit, i pakuptimtë”
Zemëratës së qytetarëve që prej katër ditësh presin në radhë të gjata në Kakavijë, Kryeministri Rama i është përgjigjur duke sqaruar se shkak për rëndimin e situatës është bërë tamponi i detyruar nga autoritetet greke, për të cilin thotë se është i pakuptimtë.
“Unë nuk e di çfarë kuptimi ka vendosja e detyruar e tamponimit të çdo individi që hyn në një shtet të caktuar, sepse të gjithë e dimë që tamponimi nuk tregon asgjë kur virusin mund ta kesh marrë një ditë më parë dhe në fazën disa ditore të inkubimit ai nuk shfaqet. Ashtu sikundër, e kemi parë edhe që jo gjithnjë tamponi e zbulon infeksionin me Covid19. Por kështu e ka vendosur Greqia dhe jo vetëm Greqia po edhe plot shtete të tjera, ndërkohë që të tjera shtete, përfshirë edhe Shqipërinë, nuk e kanë këtë rregull”, thotë Rama.
Thotë se qeveria shqiptare është në komunikim të vazhdueshëm me zyrën e kryeministrit Mitsotakis për lehtësimin e situatës, por sqaron se radhët kilometrike kanë ardhur edhe për shkak të dyndjes së qytetarëve pas vendimit se në 16 gusht, Greqia ka paralajmëruar vendosjen e karantinës për këdo që hyn në territorin e saj.
“Së fundmi, disa shtete, përfshirë edhe Greqinë, kanë deklaruar se do të rifillojnë madje me karantinimin e detyruar të atyre që vijnë nga jashtë. Ky fakt, i ka shtyrë mijëra njerëz drejt Kakavisë masivisht, për t’i shpëtuar karantinimit që nis javën e ardhshme në vendin fqinj dhe një regjimi ende më të shtrënguar, ku kalimi i kufirit do të bëhet me kuota ditore! Kjo e ka krijuar kolapsin e shërbimit doganor në anën greke, ku sado që janë shtuar e po shtohen kapacitetet e testimit, lehtësimi i lëvizjes as nuk ndjehet fare. Çfarë mund të bëjmë ne, qeveria dhe shteti shqiptar në këto kushte, kur e përsëris, ky është një rregull i përgjithshëm i shtetit grek, që prek edhe vetë grekët që kthehen në Greqi”.
Një përgjigje e ka edhe për opozitën, e cila e ka akuzuar se vijon i pashqetësuar pushimet e tij nga vila qeveritare në Dhërmi.
“Fakti është se në asnjë rast nuk bëhet fjalë për asnjë lloj padrejtësie apo diskriminimi ndaj shqiptarëve, siç thonë “patriotët” që luftojnë për dinjitetin e atdheut nga ajfoni i tyre. Asnjë lidhje nuk ka situata në Kakavi me ndonjë gjë të lënë mangut nga shteti e nga qeveria jonë në raport me shtetin e me qeverinë greke”.
Kryeministri paralajmëroi se pavarësisht kufizimit të lëvizjeve nga shtetet e tjera, Shqipëria nuk do t’i kthehet karantinimit të detyruar për ata që vijnë nga jashtë dhe as nuk do të rishtrëngojë lëvizjen e njerëzve brenda për brenda.
Tv Klan