Progresi i bërë në fushën e prokurimeve publike e afron Shqipërinë drejt Bashkimit Europian. Në podkastin “Flasim”, Kryeministri Rama kishte të ftuar drejtuesen e Agjencisë së Prokurimit Publik, Reida Kashta dhe drejtorin e Komisionit të Prokurimit Publik, Jonaid Myzyri.
Duke iu referuar raportit të të ekspertëve, kreu i qeverisë bëri publik lajmin se, Shqipëria renditet e para në rajon përsa i përket standardeve të prokurimeve.
“Shqipëria cilësohet në nivel të lartë përafrimi me BE-në dhe është ndër të pakta fusha, me një nivel kaq tër lartë performance në fushën e Prokurimit Publik. Kjo do të thotë që në këtë fushë, raporti i Sigmës, për Ballkanin Perëndimor e klasifikon Shqipërinë në vendin e parë me një diferencë prej 10 pikësh nga vendi i dytë që është Mali i Zi, e pastaj me radhë.”
Kryeministri Rama kërkoi që ky të konsolidohet niveli i këtij procesi.
“Për të gjitha që flasin për korrupsionin, për faktin që Shqipëria nuk bëhet, ne jemi në krye të rajonit për sa i përket standardeve të Prokurimeve Publike Për të qenë pjesë me të drejta të plota e Bashkimit Europian edhe në këtë proces të mëtejshëm kërkohet konsolidim i kjëtij niveli që konsiderohet i kënaqshëm në këtë fazë.”
Drejtoresha e Agjencisë së Prokurorimit Publik shpjegoi arritjet duke theksuar se kuadri ligjor është përmbushur pa u hapur ende procesi me Bashkimin Europian.
Drejtori i Komisionit të Prokurimit Publik Jonaid Myzyri theksoi se nga 10 indikatorë të analizuar, komision ka marrë 90 pikë nga 100 të mundshme. Përsa i përket cilësisë së vendimarrjes, ka marrë pikët maksimale. Në vitin 2023, vetëm 4.5 e vendimeve të këtij komisioni u ankimuan në gjykatë, kundrejt 9.8 për qind që ka qenë në 2020-ën.
Klan News