Kryetari socialist Edi Rama është shprehur i shqetësuar mbi atë që e cilësoi mbrojtje që kryeministri po i bën drejtorit të përgjithshëm të tatimeve Arben Sefgjini. Në këtë linjë Rama hodhi dyshime mbi arsyet e vërteta që ka kryeministri për të mos vepruar për shkarkimin e tij.

Edi Rama: “Kapja e kryetarit të qeverisë pas historisë së errët të mos dënimit në të shkuarën të këtij personazh. Për të mos e shkarkuar atë sot edhe pasi gjykata ka dhënë masën e arrestit shtëpiak, a thua se zotërinë e inkriminuar nga Prokuroria e Krimeve të Rënda e ka emëruar gjykata drejtor të tatimeve dhe mund ta shkarkojë vetëm ajo është në rastin më të mirë pa përgjegjshmëri e plotë dhe në rastin më të keq abuzim i vetëdijshëm i Sali Berishës në mandatin kryeministror, për të ndikuar politikisht mbi procesin gjyqësor, duke u bërë publikisht mburojë e një të arrestuari.”

Rama tha, se detyra e kryeministrit është të qëndrojë në anën e ligjit dhe jo të krimit.

Edi Rama: “I bëj thirrje kryetarit të qeverisë të kryejë një orë e më parë aktin formal të shkarkimit të drejtorit të përgjithshëm të tatimeve si edhe të distancohet publikisht nga vrasja e të ndjerit Remzi Hoxha dhe po publikisht të inkurajojë zbardhjen deri në fund të kësaj enigme që rëndon në ndërgjegjen e shtetit shqiptar.”

Drejtori i përgjithshëm i tatimeve Arben Sefgjini si edhe tre ish-punonjës të SHIK-ut akuzohen nga gjykata e krimeve të rënda si të implikuar në rrëmbim dhe zhdukjen e rreth 15 vjet më parë të biznesmenit kosovar Remzi Hoxha. Për të katër shtetasit gjykata ka dhënë masën e arrestit shtëpiak./tvklan.al

Gazetare: Menada Zaimi