Kryeministri Edi Rama, në rubrikën Sy m’sy’, i është përgjigjur komentit të një ndjekësi në rrjetet sociale, i cili e quan tallje vendimin e qeverisë për uljen e çmimit të energjisë me 1 Lekë për kilovat, për konsumatorët familjarë që shpenzojnë deri në 700 kWh/h në muaj.

Rama tha se çmimi i energjisë është ulur si askund tjetër rrotull nesh, falë investimeve të bëra masivisht në këto vite.

“Ulet çmimi i energjisë si askund tjetër rrotull nesh falë investimeve të bëra masivisht këto vite, rezultatet e arritura në transformimin rrënjësor të sektorit që e mbani mend çfarë mysybeti ishte, por natyrisht dhe falë qasjes sonë, gjithnjë të lidhur me zotimin për ti bërë njerëzit pjesë të suksesit të reformave. Dhe prapë se prapë, fjala e keqe fluturon pa të keq, deri në përqeshjen e popullit që e haka sapunin për djathë se hajde të qeveris, punë e madhe përqeshja”, tha Edi Rama.   

Kryeministri ka paraqitur çmimet për kilovat-orë për konsumatorët familjarë në Europë.

“Unë jam i bindur se Krenari jo vetëm nuk e di se sa më e shtrenjtë është energjia elektrike atje ku jeton ai në Greqi por nga mënyra si flet duket se bën pjesë tek ata që thonë Shqipëria është vendi më i shtrenjtë i Europës. Atëherë Krenar, shikoji pak çmimet për kilovat për orë në Greqi dhe Europë për konsumatorët familjarë, atëherë Shqipëria bie në 8.5 Lekë, Greqia është thuajse dyfish, 22 për kilovatë, Italia 33 për kilovatë, Gjermania 40 për kilovatë dhe më e ulëta nga të tëra është Hungaria që prapë është 20% ose pak më shumë më lart se ne”, tha Rama.   

Sipas kryeministrit, në kategorinë deri 700 kilovat hyjnë mbi 1 milionë konsumatorë familjarë, ndërsa mbi këtë kufi janë më pak se 100 mijë konsumatorë.

“Në kategorinë 700 kilovatë hyjnë mbi 1 milionë konsumatorë familjarë, ndërsa mbi këtë kufi janë më pak se 100 mijë konsumatorë të cilët kanë dhe shtëpi më të mëdha, kanë dhe të ardhura më të mëdha, kanë edhe shpenzime më të mëdha të energjisë dhe prandaj do paguajnë edhe më shumë se të tjerët. Deviza jonë nuk lëviz, kush fiton më pak, paguan më pak. Kush fiton më shumë patjetër që do paguajë më shumë”, tha Rama.   

Klan News