Turi elektoral i kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama, është ndalur në qytetin e Bulqizës, ku ka prezantuar dhe kandidatët për deputetetë që do të garojnë më 28 qershor. Gjatë fjalës së tij në qytezën e minatorëve kryesocialisti analizoi situatën katër vjeçare të Bulqizës, që sipas tij është mishërimi i politikes së vjetër. Kjo është arsyeja tha Rama se perse angazhohem që pas 28 qershorit, në emër të politikës së re së bashku të ndryshojmë kushtet e punës në të gjitha minierat e vendit.

Edi Rama: “Bulqiza është shembull më kuptimplotë i kësaj politike të vjetër të kthyer me kurriz nga njerëzit dhe këtu në Bulqizë krenaria dhe dinjiteti i çdo njeriu, i çdo buri dhe gruaje, i çdo prindi pavarësisht bindjeve të tij duhet të vihen në vend me votën e 28 qershorit ku e ardhmja duhet të ndahet nga e shkuara”. 

Për shefin e selisë roze alternativa e socialisteve është arsyeja që më 28 qershor tha Rama unë kërkoj votën tuaj për të qenë në krye të qeverisë që do të bashkë udhëhiqet nga të gjithë shqiptaret.

Edi Rama: “Unë ua kërkoj votën, që siç kam hyrë thellë në minierë për të parë kushtet çnjerëzore në të cilat punojnë minatorët e Bulqizës. Të vij përsëri dhe të hyj përsëri në minierë, jo më për t’i parë po për ti ndryshuar ato kushte me qeverinë që do ta vë në dispozicionin tuaj”.

Rikthimi i dinjitetit  të qytetit simbol të minatorëve tha Rama është një nga angazhimet që pas 28 qershorit do të kthehet në një premtim të mbajtur. Sipas tij është e pafalshme që në këtë qytet çdo muaj të humbasë një jetë njeriu, dhe kjo tha Rama do të marrë fund pas fitores së politikës së re për ndryshim.

Edi Rama: “Jau kërkoj votën për secilin prej jush, sepse dua që Bulqizës ne ti kthejmë shpresën, që Bulqizës ne t’i kthejmë dinjitetin e nëpërkëmbur 18 vjet me radhë, që Bulqizës ne t’i kthejmë punën e ndershme por njëkohësisht dhe të sigurt, që Bulqizës ne t’i kthejmë gjithçka i duhet dhe unë jam shumë mirënjohës. Edhe njëherë tjetër ju falënderoj, sepse më keni dhënë mundësinë të njoh një Shqipëri që nuk shikohet nga kutia e televizorit, të njoh një Shqipëri që vuan çdo ditë, por të cilën unë dua dhe e besoj se ne mund ta transformojmë së bashku”.

Nga qyteti i minatorëve Rama ka bërë apel për të votuar një politike të re, që sipas tij do t’i japë fund varfërisë, papunësisë si dhe kushteve çnjerëzore të punës.

Edi Rama: “Ne shqiptarët mund të bëjmë në këtë atdhe të cilit sot i ka falur gjithçka i duhet për të qenë të begatë vendin e ëndrrave e të shpresave tona, vendin ku fëmijët tanë mund të rriten të qetë e mund të mos vuajnë më kurrë urie, mund të mos vuajnë më kurrë për libra e mësues, mund mos të vuajnë më kurrë për një të ardhme të cilën 18 vjet me radhë jau ka mbyllur përpara fytyrës politika e vjetër e të shkuarës. Nuk besoj se asgjë nuk është e pamundur në rast se ne jemi të gjithë bashkë”./tvklan.al

Gazetare: Jolldiz Mitro