Braktisja e shkollave dhe mundësitë e pakta për të përballuar blerjen e teksteve shkollore ishin temë e kryesocialistit Edi Rama me banorët e Korçës, gjatë turit të tij “Dialog me Shqipërinë”. Gjatë bashkëbisedimit me arsimtar e pedagog të këtij qyteti kreu i selisë rozë u shpreh se në bazë të të dhënave të regjistruara në mbarë vendin, 70% e atyre që jetojnë në fshat e kanë të pamundur të përballojnë këtë kosto.
Edi Rama: “Sali Berisha kur doli dhe kërkoi votën e shqiptarëve në vitin 2005, shfaqej në dyert e dyqaneve dhe ju tregonte njerëzve listat e ushqimeve, sot jo vetëm listat e ushqimeve janë zgjatur, por në dyqane janë dhe listat e fletoreve dhe teksteve shkollore, borxhet e prindërve ndaj atyre që i tregtojnë këto fletore e këto tekste shkollore në pamundësi për të paguar aty për aty instrumentin më fillestar dhe më elementar të arsimimit të fëmijës.”
Duke i ftuar të besojnë në zgjidhjet që do të ofrojë Partia Socialiste Rama premtoi ndryshim të realitetit për arsimin si pjesë e rëndësishme e programit qeverisës që do të përgatitet nga selia rozë në prag të zgjedhjeve elektorale të 2009-ës./tvklan.al
Gazetare: Jolldiz Mitro