Raporti i Bankës Botërore “Doing Business 2010” reforma në kohë të vështira e rendit Shqipërinë 7 vende më lart, në vendin e 82 nga 89 që ishte në vitin 2009.
Shqipëria është një nga vendet që ka reformuar rregullat e të bërit biznes gjatë vitit fiskal 2008-2009 analizon raporti, i cili konstaton kryerjen e 287 reformave ekonomike në 131 vende të botës në periudhën qershor 2008-maj 2009, që përbëjnë një ngritje prej 20 % krahasuar me raportin e mëparshëm.
Kjo rritje me 7 pikë që ka shënuar Shqipëria është më e lartë se rritja në rreth 30 vende të tjera që variojnë nga 1-5 pikë, pjesa më e madhe e ekonomive botërore ka bërë hapa prapa, ose paraqitet në të njëjtat nivele.
Ajo që vërehet në listë është rënia që kanë bërë vende të rajonit si Italia -4 pikë, Greqia -9, në një kohë që Bosnje Hercegovina është rritur vetëm në 3 pikë dhe Mali i Zi me 6 pikë. Në rast se krahasojmë vende si Anglia, SHBA, Irlandë, apo Kina të cilat janë në dhjetëshen e parë, do të vërejmë se rritja e tyre është vetëm me një pikë, disa herë më e ulët se Shqipëria.
Po kështu, asnjë ndryshim nuk kanë shënuar as Kanadaja, Australia apo Norvegjia, të cilat ashtu si një vit më parë, vazhdojnë të mbeten në vendet 8, 9 dhe 10. Banka thotë se lehtësirat e të bërit biznes në Shqipëri nisin me regjistrimin elektronik të biznesit, gjë që natyrisht shtoi edhe kapacitetin e ruajtjes së të dhënave. Faktorë të tjerë janë dhe ulja e ndjeshme e shumës së kapitalit fillestar për të hapur një biznes të ri si dhe eliminimi i kërkesës për të regjistruar biznesin në Dhomën e Tregtisë. Gjithashtu, përdorimi i softuerëve për financat dhe instalimi i pajisjeve të skanimit kontribuuan në pakësimin e kohës së kalimit të mallrave nëpër pikat doganore.
Me këto arritje, qeveria shqiptare ka lënë prapa vende të rajonit si Greqia, Serbia apo Bosnje Hercegovina. Pra, me gjuhën e shifrave, Shqipëria hyn në vendin e 46 në grupin e atyre vendeve ku hapja e një biznesi të ri është e lehtë.
Po kështu, vendi ynë ofron kushte të përshtatshme për tregtinë ndërkufitare, e cila na rendit në raport 17 vende më lart se një vit më parë, në vendin e 66. Në rritjen me 7 vende ka kontribuar pagesat e taksave, në një kohë që stabël janë punësimi, mbrojtja e investitorëve apo mbyllja e biznesit. Sipas “Doing Business 2010”, vendi ynë paraqet disa parregullsi jo serioze në kreditimin e ekonomisë dhe regjistrimin e pronësisë.
Ashtu si raportin “Doing Business 2009”, Banka Botërore vëren se sërish problem jo i vogël në vend mbeten lejet e ndërtimit. Sipas vlerësimit të dhënë, Shqipëria aplikon një numër më të madh procedurash për marrjen e lejeve të ndërtimit se vendet e tjera e Evropës lindore dhe Azisë Qendrore.
Në total banka ka përfshirë në raport 131 nga 183 ekonomitë botërore, pra 70% e tyre, një shifër rekord kjo brenda një viti, që nga botimi i raportit të parë të këtij tipi në 2004. Banka botërore përfshin në këtë raport edhe Kosovën, e cila pak javë më parë u bë pjesë e kësaj të fundit. Përfundimet zyrtare e rendisin Prishtinën në vendin e 124./tvklan.al
Gazetare: Bora Sadriaj