Banka Botërore, në një prej raporteve të saj më të fundit, vlerëson se këtë vit, ekonomia shqiptare do të rritet me 1.5%, ndërsa në periudhën 2010-2011, me 2 deri në 3%.

Parashikimet janë më optimiste, se ato të dhëna nga Fondi Monetar Ndërkombëtar. Ato tregojnë se rritja e ekonomisë shqiptare do të jetë më e madhe se shumë vende të Europës dhe Azisë qendrore. Siç shihet edhe nga grafika, Prodhimi i Brendshëm Bruto për këtë vit do të jetë 1.5 %, ndërsa vende të tjera të rajonit si Bullgaria apo Kroacia do të kenë rënie me -1.5 dhe -3 %.

Rritja e GDP-së së Shqipërisë , pjesë në grupin e gjashtë vendeve që për 2009 do të kenë rritje ekonomike, vjen në një kohë kur banka botërore parashikon se recesioni do të thellohet më tepër se ç’ishte parashikuar. Rritja ekonomike për vendet e tjera do të përtërihet në fund të këtij viti, por rimëkëmbja do të jetë më e ngadaltë se ç’parashikohej më parë./tvklan.al