Një tjetër raport ndërkombëtar konfirmon se motorët e ekonomisë shqiptare po funksionojnë duke bërë vendin tonë tërheqës për kapitalin e huaj pavarësisht krizës botërore.

Raporti i sapo publikuar nga konferenca e OKB-së për tregtinë dhe zhvillimin e rendit Shqipërinë të dytën në botë dhe të parën në rajon përsa i takon ritmit të rritjes së investimeve të huaja direkte.

Norimasa Shimomura, drejtori i PNUD-it në Shqipëri, thotë se raporti diferencon Shqipërinë si një vend që ka shënuar një rritje prej 45 % të investimeve të huaja në kontrast në goditjen e madhe në këtë tregues që ka marrë pjesa dërrmuese e ekonomive botërore.

Norimasa Shimomura: “Në Evropën Juglindore Shqipëria dhe Mali i Zi kanë pasur një zhvillim pozitiv sa i përket  investimeve të huaja direkte në vitin 2008, përkundrejt 2007. Krahasuar me ekonomitë në tranzicion në mbarë botën, Shqipëria mban rekord pas Armenisë në rritjen e investimeve të huaja direkte për 2008, duke shënuar një rritje prej 45%.”

Sipas raportit të agjencisë së OKB-së rritja domethënëse e investimeve të huaja direkte në Shqipëri bazohet në privatizimet e suksesshme të kompanive të mëdha dhe përmirësimit të mjedisit të biznesit. Por sfida sipas raportit mbetet e ardhmja e këtyre privatizimeve në rritjen e vendeve të punës.

Astrit Sulstarova: “Shqipëria për herë të parë po tenton të kapi 1 miliard dollar.  Në krahasim me 2007, ku të gjitha vendet pothuajse, në përjashtim të Serbisë kanë pësuar një rritje të investimeve në lidhje me 2006. Në 2008 pothuajse të gjitha vendet kanë pasur një rritje negative. Domethënë investimet e huaja në 2008 kanë qenë më të ulëta se në 2007. Natyrisht që këtu bën një përjashtim Shqipëria, që ka një rritje prej 45% dhe po kështu edhe Mali i Zi me një rritje prej 7%.”

Raporti parashikon se tkurrja e investimeve të huaja në botë do të vazhdojë edhe këtë vit, duke kapur shifrën më të lartë prej 500 miliard dollarësh. Ndërkaq performanca e Shqipërisë për muajt e parë të këtij viti vijon të jetë pozitive.

Eno Bozdo: “U përmend që për 3 mujorin e parë të vitit 2009, se ne kemi rritje në krahasim me 3 mujorin e parë të vitit 2008, përsa u përket investimeve të huaja direkte në Shqipëri. Të dhënat e fundit në raportin e fundit të Bankës Botërore tregojnë që për 6  mujorin e parë të vitit 2009, ne kemi një rritje thuajse 60% në krahasim me 6 mujorin e parë të vitit 2008.”/tvklan.al

Gazetar: Fjorald Zguro