Që nga pranvera e ardhshme shqiptarët do të udhëtojnë pa viza në Evropë. Ky është premtimi i Ministrit të Jashtëm italian, Franko Fratini i dhënë pas një takimi me homologun shqiptar Ilir Meta në prag të konferencës së ministrave të jashtëm të vendeve anëtare të Iniciativës së Evropës Qendrore që po mbahet në Bukuresht.

Kreu i diplomacisë italiane ka vlerësuar progresin e Shqipërisë që deri më tani po përmbush me terma të kënaqshme kushtet e vendosura nga Brukseli për liberalizimin e vizave.

Deklarata e Fratinit erdhi vetëm pak ore pasi parlamenti evropian aprovoi rezolutën e Komisionit Parlamentar për integrimin ku u vendos përshpejtimi i procedurave për liberalizimin e vizave me Shqipërinë dhe Bosnjën sapo këto dy vende të përmbushin kushtet e mbetura.

Të angazhuar maksimalisht për futjen e vendit tonë dhe të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor në listën e bardhë të Shengenit janë edhe ministrat e Rumanisë dhe Hungarisë Katalin Predoju dhe Peter Balash.

Në takimin  e tyre në Bukuresht me kryediplomatin italian tre ministrat dhanë mesazhin se asnjë vend i Ballkanit Perëndimor nuk duhet të mbetet jashtë Bashkimit Evropian dhe integrimi i këtij rajoni duhet të jetë prioriteti kryesor i Brukselit./tvklan.al

Gazetare: Urita Dokle