Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit rendit Shqipërinë në grupin e vendeve që vlerësohet se nuk kanë përmbushur plotësisht standardet minimale në luftën anti-trafik, por që bëjnë përpjekje domethënëse për t’i përmbushur ato.
Raporti i klasifikon vendet tre grupe bazuar në një numër domethënës viktimash të trafikut. Shqipëria renditet në grupin e dytë, ndërsa në të tretin renditen ato vende që kanë probleme më serioze me këtë fenomen.
Raporti sjell detaje të përpjekjeve të qeverisë shqiptare që nga ndjekja penale e fajtorëve deri tek mbrojtja e viktimave duke përcjellë dhe rekomandime konkrete.
Ai nuk e konsideron më Shqipërinë si vend transit, por vendburimi për vajza dhe gra të trafikuara për qëllime të shfrytëzimit seksual për përfitim dhe punë të detyruar.
Greqia, Italia, Maqedonia, por dhe Kosova janë vendet ku trafikohen viktimat shqiptare. Shumë prej tyre edhe më tej në Evropën Perëndimore. Afro gjysma janë nën moshën 18 vjeç.
Nga rekomandimet që theksohen në raport është ndjekja dhe hetimi penal i krimeve të trafikimit, si dhe bashkëfajësisë së zyrtarëve ligjzbatues, një rekomandim ky që vjen për shkak të mangësive të identifikuara në këtë drejtim gjatë vitit 2007.
Zbatimi i një plani të ri anti-trafik me pjesëmarrjen e OJQ-ve është gjithashtu pjesë e rekomandimit.
Raporti vë në dukje faktin se qeveria shqiptare vuri në zbatim një numër veprimtarish për parandalimin e trafikimit, por lejoi, thuhej më tej, që plani i saj kombëtar anti-trafik të skadonte.
Një tjetër çështje kur rekomandohen përpjekje intensive është identifikimi, mbrojtja dhe riintegrimi i viktimave të trafikut.
Disa ditë më parë edhe ambasadori amerikan në Tiranë, Withers, tërhoqi vëmendjen ku foli mbi strategji anti-trafik të mbetura në letër e të pazbatuara nga qeveria shqiptare./tvklan.al