Transparency International e rendit Shqipërinë në vendin e 85 nga 180 shtete ku janë përpunuar rezultatet mbi indeksin e perceptimit të korrupsionit për vitin 2008. Thënë ndryshe Shqipëria ka shënuar një rritje me 0.5 pikë krahasuar me një vit më parë.

Marjana Papa: “Shqipëria ka shënuar një progres të rëndësishëm në perceptimin e korrupsionit duke u vlerësuar me 3.4, rezultati ky më i lartë i arritur, por që vendos Shqipërinë në sytë e publikut dhe opinionit ndërkombëtar përballë një përgjegjësie më të madhe dhe një pritshmërie që ky progres të jetë i qëndrueshëm. Transparency International thekson, se indeksi i perceptimit të korrupsionit për vitin 2008 demonstron qartë se korrupsioni mbetet një sfidë serioze për Shqipërinë. Ashtu si edhe për të gjitha vendet e Europës Juglindore, të cilat janë vlerësuar me notën nën 5, që tregon se këto vende ballafaqohen me nivele serioze të perceptimit të korrupsionit.”

Sondazhi rendit në këtë mënyrë Shqipërinë në vendin e parë në Ballkan, për nga aksionet e ndërmarra në luftën kundër korrupsionit. Vlerësimi më i ulët për vendin tonë është shënuar në vitin 2005 me 2.4. Vitet në vijim shënuan rritje në nivelin e perceptimit të korrupsionit.

Një konstatim i rëndësishëm që bëhet në raportin e organizatës së njohur ndërkombëtare. I referohet aksioneve në kuadër të task-forcës anti-korrupsion. Shifrat flasin për 224 zyrtarë të dyshuar për shpërdorim detyre, nga të cilët 53 u arrestuan dhe po ndiqen penalisht.

Transparency International konstaton gjithashtu se të gjitha këto përpjekje kanë rritur besimin e publikut, se korrupsioni mund të luftohet dhe ndëshkohet edhe në Shqipëri.

Por Transparency International thotë se problem kryesor në vend mbetet korrupsioni në sistemin e drejtësisë. Falë rezultateve të saj më të mira krahasuar me vendet e tjera të Ballkanit, Shqipëria la pas të paktën 20 vende të tjera, duke kaluar nga pozicioni i 105 i vitit të shkuar në të 85 këtë vit, por që në fakt duke iu referuar shifrës së vendeve të përfshira në raport për këtë vit, Shqipëria ka lënë pas 95 vende të botës, duke u renditur shumë pranë disa vendeve anëtare  të BE-së.

Nëse vendi ynë do të ruante të njëjtin nivel të indeksit të perceptimit të korrupsionit të një viti më parë, pra 2.9, sot ajo do të renditej jo në vendin e 105, por të 138.

Raporti i publikuar i referohet të dhënave që ofrojnë organizata të rëndësishme ndërkombëtare, agjenci apo ekspertë që punojnë në Shqipëri. Ndërsa vlerësimi i vetë shqiptarëve për këtë fenomen do të publikohet në një tjetër sondazh në muajin dhjetor të këtij viti.

Astrit Patozi: “Raporti i transparencës ndërkombëtare, pason atë të bankës botërore të pak ditëve më parë ku Shqipëria progresi me gati 50 vende në klasifikimin botëror për reformat dhe lirinë ekonomike. Por ky raport entuziast është njëkohësisht edhe një përgjigje e merituar për politikën e mohuar dhe shpifjes. E cila për fat të keq është adoptuar prej shumë kohësh pas asnjë sukses nga opozita. Gjatë këtyre 3 viteve në si mazhorancë kemi bërë gjithçka dhe kemi arritur shumë, që Shqipëria në mënyrë domethënëse të jetë vend më i lirë, shumë më i pa korruptuar dhe shumë i sigurtë.”/tvklan.al

Gazetare: Menada Zaimi