Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Pas akuzave të ngritura një ditë më parë nga familjarë dhe të afërm, për trafik dhe zhdukje fëmijësh në drejtim të fondacionit britanik “Shtëpia e Shpresës” në Elbasan, drejtues të kësaj të fundit kanë reaguar.

Prindërit akuzuan se kishin humbur lidhjet me fëmijët e tyre të strehuar pranë fondacionit “Shtëpia e Shpresës” dhe se birësimet ishin kryer pa miratim me dokumente të falsifikuara, por drejtoresha e fondacionit Kristina Debenham pranon, se gjatë 10 vjetëve aktivitet të fondacionit, janë kryer tre birësime, dy jashtë Shqipërisë dhe një në Tiranë, të cilat kanë marrë edhe miratimin e Komitetit Shqiptar të Birësimit.

Kështu birësimi i parë i një të mituri 5-vjeçar është kryer në Nëntor të vitit 1999, nga një familje që jeton në Francë, e cila i ndërroi dhe emrin duke e quajtur Marsel. Birësimi i dytë i përket nipit të Emanuelës, e cila ka kujdestarinë nga i ati dhe një ditë më parë kërkonte të dinte për fatin e vogëlushit, i cili është birësuar në Itali.

Kristina Debenham:- “Ne bëjmë të gjithë punën me ligjet shqiptare, për birësimet. Kishim vetëm dy fëmijë që u adoptuan brenda këtij viti, që ishte Marseli dhe Francesko. Njëri tani jeton në Itali dhe tjetri është në Francë”.

Edhe vajza e Kristinës, Xhoana është birësuar në Prill të këtij viti në Tiranë. Ndërsa drejtoresha e fondacionit Kristina Debenham shprehet, se dhe për këtë rast dokumentacioni është i rregullt, e ëma deklaroi publikisht se nuk ka dhënë asnjë aprovim për birësimin e bijës së saj.

Sipas fondacionit “Shtëpia e Shpresës”, e cila ka mision humanitar në Shqipëri për kujdesen, rritjen, edukimin e fëmijëve të braktisur, derisa ata të jenë 18 vjeç, akuzat e ngritura për trafik, apo zhdukje fëmijësh janë të pabaza. Zonja Debenham shpjegon, se për fëmijët është kujdesur çifti Xhudi dhe Majkëll Smith, të cilët janë larguar në Angli, për arsye moshe.

Aktualisht fondacioni kujdeset për disa kopshte në Elbasan dhe Kosovë. Në shtëpinë e fëmijëve Shpresa janë edhe 22 fëmijë të braktisur. Drejtuesit shprehen, se në rast se fëmijët janë të braktisur, si nga nëna ashtu dhe nga babai, atëherë legjislacioni shqiptar lejon birësimin./tvklan.al

Gazetare – Eva Paja