Lajme Arkiva 2003

Gjyqtari i Kurbinit i shkarkuar së fundi nga detyra me vendim të Këshillit të Lartë të Drejtësisë ka reaguar ndaj këtij vendimi. Besnik Qira u ndëshkua lidhur me vendimin e dërgimit të një të pandehuri, i cili figuron i sëmurë psikik nga ekspertiza, në spital. Gjyqtari thotë se nuk ka urdhëruar pushimin e dosjes.

Zoti Qira pohon se është bërë një gabim në shqyrtimin e çështjeje ai qëndron në faktin se një nga anëtarët e trupit gjykues të çështjes nuk e ka firmosur vendimin.

Besnik Qira: Për çështjen që përmenda është marrë masë administrative nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë edhe për gjyqtarin Demiri për të cilin thasë se mungon firma në gjykimin e dhënë nga gjykata. Pra ai është trajtuar se ka qenë dakord me vendimin e dhënë dhe për këtë arsye është marrë edhe masa vërejtje me paralajmërim për largim nga detyra.

Zoti Qira kërkon rikthimin në punë ndërsa ka pohuar se do ta ankimojë vendimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë në  Gjykatë.

Besnik Qira: Unë për faktin se Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka marrë ndaj meje masën  ekstreme e quaj një vendim të nxituar pa hapësirë ligjore, ndaj këtij vendimi unë kam të drejtë të ankohem në Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë, të drejtë që unë do ta shfrytëzoj meqenëse në rastin konkret unë nuk e quaj të arsyeshme marrjen e masës ekstreme ndaj meje./tvklan.al