Trajneri i Atalantës, Gian Piero Gasperini, foli në konferencë për shtyp, në prag të ndeshjes me Real Madrid, në Superkupën Europiane.
Tekniku zikaltër pranoi se përballë është skuadra më e suksesshme në botë, por premtoi se ekipi i tij do të luajë me krenari për të zhvilluar një ndeshje të madhe.
“Nuk kemi asnjë vështirësi. Vijmë të luajmë një ndeshje prestigji të madhe. Do të jemi me entuziazmin e zakonshëm dhe me dëshirën për të mahnitur ata që na ndjekin. Përballemi me ekipin më të suksesshëm në botë. Duhet të luajmë me krenari për të zhvilluar një ndeshje të madhe.”, u shpreh trajneri i bergamaskëve.
Gasperini, vlerësoi maksimalisht edhe trajnerin kundërshtar, Carlo Ancelotti.
“Ajo që Ancelotti ka bërë në vitet e fundit, është parë nga të gjithë. Ai është një nga trajnerët më të suksesshëm në botë, pikë referimi për shumë njerëz. Është mirë që përballemi bashkë në një finale europiane, pas një kohe të gjatë. Në futboll ndonjëherë parashikimet përmbysen.”, theksoi ai.
Trajneri i Atalantës e di që në letër nuk është favorit, por kërkon lojë të bukur nga ekipi i tij dhe më pas gjithçka mund të ndodhë.
“Duam të arrijmë maksimumin e mundësive tona. Kur kemi luajtur jashtë ndaj Liverpool apo edhe në fusha të tjera, i kam kërkuar ekipit gjithmonë që të zhvillojë një lojë të mirë, pa pasur parasysh se kush është përballë.”, përfundoi Gasperini.
Ndeshja mes Real Madrid fitues i Ligës së Kampioneve dhe Atalantës, fituese e Europa League, do të luhet të mërkurën e 14 gushtit, në orën 21:00. /tvklan.al