Te Real Madrid janë të hapur për të shitur mesfushorin Aurelien Tchouameni, i cili ka qenë larg pritshmërive në nisje të këtij sezoni. Paraqitja e mesfushorit francez në përballjen kundër Atletico Madridit më 29 shtator që përfundoi me rezultatin 1-1 sollën shumë pakënaqësi. 24-vjeçari e nisi titullar bashkë me 39-vjeçarin Luka Modriç në zemër të mesfushës së “Los Blancos”, por ishte vetëm kroati që pati ndikimin më të madh në mesfushë.
Në humbjen 4-0 në “El Clasico” nga Barcelona, francezi u zëvendësua pas një ore lojë nga Modriç. Tchouameni nuk përfitoi në këtë sezon as nga largimi i Toni Kroos, por edhe nga rënia e nivelit të ekipit, për të lënë shenjë te “Los Blancos”. Sipas gazetës spanjolle Relevo, klubi tani është i gatshëm ta shesë futbollistin, i cili dikur konsiderohej si i pashitshëm dhe që u mor nga Monako për shumën e 85 mln eurove në 2022.
Trajneri Carlo Ancelotti beson se francezi është opsioni më i mirë që ai ka për mesfushën, por drejtuesit pëlqejnë më shumë Eduardo Camavinga. Por për stafin teknik, Camavinga-s i mungon sensi taktik për të luajtur në atë pozicion. Gjigantët spanjollë mund të tentojnë yllin e Manchester City-t dhe fituesin e “Topit të Artë” të këtij viti, Rodri verën e ardhshme.
Por ngelet për t’u parë se sa dëshirë do të ketë spanjolli të transferohet në Madrid, pas polemikave për trofeun që ai mori.
Klan News