Një javë pas rrëzimit të regjimit të Bashar Al Assad, duket se situata në Siri po shkon drejt normalizimit. Tregues është rihapja e institucioneve arsimore në kryqyqyetet. Në shkollën Jawdat al-Hashemi, flamuri i miratuar nga sundimtari i ri i Sirisë u ngrit në oborr   para mësuesve dhe nxënësve.

Rindërtimi i Sirisë do të jetë një detyrë e vështirë për rebelët pas një lufte civile që vrau qindra mijëra njerëz. Qytetet janë kthyer në gërmadha, fshatra të tërë janë shpopulluar dhe ekonomia është shkatërruar nga sanksionet ndërkombëtare. Sytë e botës janë tek Siria për të parë nëse sundimtarët e rinj do t’i japin qytetarëve stabilitet politik.

Ndërkohë, pavarsisht rënies së regjimit Moska nuk po largohet nga dy bazat e saj kryesore ushtarake. Burime ushtarake dhe sigurie siriane në kontakt me rusët i thanë gazetërve të agjencisë së lajmeve  “Reuters” se Moska po tërheq forcat e saj nga vijat e frontit dhe po tërheq disa pajisje të rënda dhe oficerë të lartë sirianë.

Një zyrtar i lartë rebel i afërt me administratën e re të përkohshme i tha “Reuters” se çështja e pranisë ushtarake ruse në Siri dhe marrëveshjet e kaluara midis qeverisë së Asadit dhe Moskës nuk janë në diskutim.

Klan News