Nga Dhërmiu ku po kalon edhe këtë vit pushimet, kryeministri Edi Rama zbuloi shifrat e përditësuara të turistëve të huaj. Vetëm nga Rinasi tha se vetëm në Korrik kanë hyrë 1.2 milionë vizitorë, ose 350 mijë më shumë se një vit më parë.
Edi Rama: Madje këtë Korrik është thyer edhe një rekord tjetër, ai i hyrjeve në një ditë të vetme: 44 mijë! Aeroporti ka arritur të operojë deri në 252 fluturime në ciklin e 24 orëve, një volum marramendës dhe i paimagjinueshëm deri pak vite më parë.
Sipas tij, me këto shifra Tirana e ka spostuar në vendin e dytë aeroportin e Beogradit, i cili historikisht ka qenë i pari dhe absolut në këtë rajon.
Edi Rama: Fatmirësisht për shifrat e aeroportit nuk mund të thonë dot gjë as ato gojët me qime të atyre që nuk pushojnë u zbraz Shqipëria, edhe nga shqiptarët tani, edhe nga turistët, sepse aeroporti i Tiranës po mbush vitin në krye të klasifikimit Europian për rritjen relative me vitet paraardhëse.
Një tjetër tregues i sezonit turistik të suksesshëm janë sipas Ramës edhe hyrjet nga Kosova që flasin për 175 mijë automjete më shumë se sa vjet.
Edi Rama: Pra edhe ajo teoria keqdashëse e përhapur këtë sezon me teori të tjetra për shqiptarët e Kosovës që e paskan braktisur Shqipërinë, është një zero me xhufka.
Edhe shifrat e të ardhurave nga doganat dhe tatimet, sipas Ramës janë në rritje nga një vit më parë duke treguar një rritje të konsumit në vend.
Edi Rama: Është e habitshme se sa të pamundur e ka një pjesë e jona t’i gëzohet suksesit të Shqipërisë, po kjo dihet. Megjithatë shyqyr që është një pjesë që zvogëlohet krahasimisht me Shqipërinë që rritet e forcohet. Madje jo vetëm kaq, po për disa është për të thënë shyqyr që i kemi, tamam si atë hudhrat në dyert e shtëpive, që e mbrojnë vendin nga syri i keq.
Rama tha se megjithatë po mbahen shënime për gjërat që nuk kanë shkuar siç duhet me synimin që në 2030, Shqipëria të kthehet në një kampione të padiskutueshme të turizmit dhe jo vetëm në rajonin tonë.
Edi Rama: Pushime të mbara!
Tv Klan