Remzi Hoxha, një shqiptar i Maqedonisë i cili në tre vjet kishte ngritur dhe një biznes në Tiranë, është marrë në 21 tetor të vitit ‘95 me pranga nga persona civilë me një makinë e cila, nga verifikimet e mëtejshme, rezulton se është një mjet i Shërbimit Sekret Shqiptar. Familja Hoxha prej 9 vitesh, jo vetëm që nuk e ka parë Remziun, por nuk dinë nëse është gjallë, ka vdekur e më tej nëse ekziston për të një varr. E shoqja Sevdia mban mend se 9 vite më parë 40-vjeçari doli normalisht nga shtëpia.
Sevdie Hoxha: “Ka shkuar për në punë dhe aty rreth orës 1:30 e kanë rrëmbyer me pranga, e kanë futur me zor në makinë. Kam kontaktuar me vjehrrin e Sali Berishës dhe ai na tha se Remziu është i gjallë, mos u mërzisni shumë, se unë fillova të qaj edhe më tha, puna le të vazhdojë, fëmijët le të shkojnë në shkollë. Nuk kemi pasur më fjalë të tjera.”
Një vit më parë, prokuroria shqiptare nisi një proces për fatin e Remzi Hoxhës. Nën akuzë u vunë 9 efekivë të Shërbimit Informativ, tre prej tyre u arrestuan për t’u liruar më pas nga gjykata për pamjaftueshmëri provash, ndërsa 6 të tjerë rezultojnë tës trehuar jashtë kufijve të shteti shqiptar. Dëshmitari kyç i dosjes është një banor i Ksamilit i cili deklaron se, së bashku me Remziun, janë viktima ta torturave dhe akuzave nga oficerë të ish-SHIK-ut si agjentë të shërbimeve sekrete të huaja.
5 organizata për mbrojtjen e të drejtave të njeriut në Tiranë dhe Prishtinë kanë apeluar sot për humbjen e mistershme të një personi, ndërsa familjarët me keqardhje shprehen se autoritetet shtetërore shqiptare nuk kanë dhënë asnjëherë një përgjigje zyrtare për fatin e njeriut të tyre.
“Kontaktuam shumë miq e dashamirës që deshën të na ndihmojnë, kush me lek e kush pa lek, por përgjigjja ishte e njëjtë: nuk dimë asgjë!” /tvklan.al