Bashkia e kryeqytetit prej kohësh ka shpallur fitues kompani të huaja për planin rregullues të Tiranës, plan që vazhdon të mbahet në sirtarët e zyrtarëve lokal.
Ata flasin përditë për investime sporadike në zona të ndryshme të kryeqytetit, por i vetmi vend për të cilin nuk po flitet dhe nuk po bëhet asgjë është sheshi Skënderbe, që është kthyer në një makth të vërtet për qytetarët dhe drejtuesit e automjeteve.
Sipas të dhënave të vetë bashkisë, projekti i rehabilitimit të sheshit Skënderbe duhet të kishte filluar nga zbatimi që në fillim të muajit Nëntor, por deri tani nuk ka asnjë sinjal pozitiv.
Pamjet flasin vetë. Qendra e Tiranës vazhdon të mbushet çdo ditë me gropa, të cilat sa më shumë mundohesh t’i mbushësh natën dhe në mes të shiut, aq më shumë shtohen ditën.
Denoncimi u krye pak javë më parë nga Lëvizja Socialiste për Integrim, por me kamerën tonë sjellim sot edhe shqetësimet e qytetarëve që ankohen për indiferencën e bashkisë për qendrën e kryeqytetit, e cila është kthyer në një nga zonat më problematike.
“Del e flet budallallëqe. E ma mirë ajo shtëpia rregullohet një herë brenda e atëherë rregullohet anash”.
“Këto janë shtetet tona të lumtura që jetojnë me këta gropa. E duket tamam si andej nga Guatemala”.
Gropat dhe kaosi e kanë bërë pothuajse të pamundur lëvizjen normale të përdoruesve të rrugës.
Këmbësorëve, përveç ruajtjes nga makinat të cilat turren kush e zë vendin e parë pranë semaforit, iu duhet të shohin edhe se mos zhyten në ndonjë gropë me ujë./tvklan.al