Në ditën Ndërkombëtare të Lirisë së Medias, organizata “Reporterët pa Kufij” ka publikuar raportin për situatën mediatike në botë, ku vërehet se mungesa e vullnetit politik për mbrojtjen e të drejtave të medias po përshpejton rënien e lirisë së saj.
Pjesë e këtij indeksi është dhe Shqipëria. “Reporterët Pa Kufij” vlerëson se mjedisi për lirinë e shtypit në Shqipëri “është i vështirë” dhe si arsyen kryesore rendisin presionin politik. Ajo ka humbur tre vende krahasuar me një vit më parë, kur listohej e 96-ta.
“Në Shqipëri, pavarësia editoriale kërcënohet nga rregullat me frymë partiake. Gazetarët bien viktima të krimit të organizuar dhe hera herës të dhunës policore, e nxitur nga dështimi i qeverisë për mbrojtjen e tyre.”
Lidhur me këtë raport ka reaguar edhe kryeministri Edi Rama, i cili garanton se qeveria do të marrë masa për përmirësimin e mjedisit mediatik.
“Çështja e lirisë së informacionit është një nga më të rëndësishmet sot ndaj dua të falenderoj Reporterët pa Kufij për raportin e tyre të thellë. Ne do ta analizojmë me kujdes, do të konsultohemi me të gjitha palët e interesuara dhe do të ndërmarrim veprime të mëtejshme për të përmirësuar mjedisin mediatik, për të mbrojtur lirinë e informacionit, për të luftuar dezinformimin dhe për të forcuar të drejtat e gazetarëve. Jemi shumë të shqetësuar nga gjetja kryesore e raportit: se liria e medias është nën kërcënim në të gjithë botën. Qeveria shqiptare është e gatshme të ndërmarrë të gjitha përgjegjësitë e nevojshme për të ndihmuar në thyerjen e këtij trendi.”
Të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor janë përballur me rënie të lirisë së shtypit, përveç Maqedonisë së Veriut, e cila ka shënuar përmirësim duke u renditur e 36-ta. Kosova, radhitet e 75-ta duke humbur 19 vende nga viti i kaluar, kur u listua e 56-ta.
Klan News